Kosova jep tri sqarime për mbylljen e strukturave paralele
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Evropian për aksionin e Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën, duke dhënë tri sqarime kryesore.
Bajrami theksoi se këto struktura ishin ilegale dhe të drejtuara nga Serbia, se nuk ekziston asnjë marrëveshje për negociata mbi to dhe se operacioni policor nuk ka shkaktuar tensione.
“Për qartësim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione,” shkroi Bajrami në platformën sociale X.
Kritikat e BE-së u fokusuan në mbylljen e këtyre strukturave, duke argumentuar se ato “të mbështetura nga Serbia” dhe se veprime të tilla bien ndesh me obligimet e Kosovës ndaj BE-së.
Në reagimin e saj, BE-ja theksoi se këto veprime nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve në veri dhe se statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes dialogut.
Pos BE-së, pati reagime edhe nga SHBA-ja, Britania, Gjermania e Franca.
Policia e Kosovës njoftoi se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Cilat institucione serbe u mbyllën?
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë.
For clarification:
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) January 15, 2025
• There are no Serbia supported structures in Kosova; these were Serbia-run illegal structures
• There’s no agreement stipulating negotiations over future of these structures
• Today’s Kosova Police operation didn’t cause any tensionshttps://t.co/EcUq8f4qvB