Serbia refuzoi të takohet me Kosovën për të pagjeturit, Hoti: Petkoviqi orkestroi dështimin
Foto: Laura Hasani

Serbia refuzoi të takohet me Kosovën për të pagjeturit, Hoti: Petkoviqi orkestroi dështimin

Aktuale January 15, 2025 - 14:49

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka bërë të ditur se sot ishte planifikuar të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel.

Sipas Hotit, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse, sipas tij, takimi ishte planifikuar para dy javëve.

“Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve”.

“Prania e Petkoviqit në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.

“Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel”, shkroi Hoti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Hoti tha se kjo dëshmon për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme.

“Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur. Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga Lajçaku që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, tha Hoti.