Prokuroria thotë se s’ishte e përfshirë në bastisjen e sotme, ku u mbyllën disa struktura paralele serbe
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në disa komuna të Kosovës, ku janë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë.
Prokurori i Shtetit sqaron se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të Shtetit për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi”.
“Prokurori i Shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarim. /Zëri