Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara nënshkruajnë marrëveshje për lidhje energjetike nëndetare

Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara nënshkruajnë marrëveshje për lidhje energjetike nëndetare

Aktuale January 15, 2025 - 11:53

Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën nënshkruan një marrëveshje me vlerë të të paktën një miliard eurove për ndërtimin e një lidhjeje nëndetare për energji të ripërtëritshme nëpër Detin Adriatik.

“Ne besojmë fuqishëm në këtë projekt që i përfshin tri qeveritë tona, si dhe sektorin tonë privat e operatorët e rrjetit”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, derisa e njoftoi marrëveshjen në Samitin Botëror për Energjinë e së Ardhmes në Abu Dabi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Partneriteti trepalësh, qëllimi i të cilit është prodhimi i energjisë së gjelbër në Shqipëri dhe eksportimi i saj në Itali përmes kabllove nënujore, do t’i përfshijë operatorin italian të rrjetit energjetik, “Terna”, si dhe Kompaninë Kombëtare të Energjisë të Emirateve të Bashkuara, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama shtoi se me këtë infrastrukturë do të lidhet porti i Vlorës me rajonin jugor italian, Puglia, pika më e afërt mes dy vendeve, dhe pritet që të vihet në operim brenda më së largu tre vjetëve.