Lavrov: Moska në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën se Moska është në kontakt me "miqtë e saj serbë" lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS.
Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas një takimi me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko tha se ka kërkuar "nga miqtë rusë" fillimin e konsuktimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.
"(Diskutuam edhe) gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet partneriale dhe miqësore midis Serbisë dhe Federatës Ruse", shkroi Vuçiqi në llogarinë e tij në Instagram, të martën.
Vuçiqi tha të premten se, pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara ndaj sektorit të naftës të Rusisë, kompanisë Gazprom Neft të Rusisë do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it.
Ky afat vlen edhe që Serbia të përfundojë "nënshkrimin e çfarëdo marrëveshjeje apo kontrate me palën ruse".
Pas kësaj, siç tha ai, sanksionet hyjnë në fuqi "plotësisht".
Kompania NIS është në shumicë në pronësi të Gazprom Neft, e cila ka aksione prej 50 për qind dhe Gazprom, i cili ka 6.15 për qind të aksioneve.
Qeveria serbe mban 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa aksionarët e vegjël përbëjnë pjesën tjetër.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit "rrezik sekondar", do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i. /REL