Kosova mbulohet nga bora, meteorologu Rugova: Temperaturat në zonat malore pritet të ulen deri në -12° C
Foto: Laura Hasani

Kosova mbulohet nga bora, meteorologu Rugova: Temperaturat në zonat malore pritet të ulen deri në -12° C

Aktuale January 14, 2025 - 00:13

Meteorologu Mendim Rugova ka dhënë detaje mbi motin që pritet në ditët në vijim, duke paralajmëruar temperatura të ulëta dhe një mot të qëndrueshëm. Ai theksoi se bora ka mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, një fenomen i rrallë vitet e fundit.

Rugova tha se për herë të parë pas shumë vitesh çdo pjesë e Kosovës është mbuluar me borë, duke përfshirë edhe zonat më të ulëta si Vërmica dhe përreth Drinit të Bardhë.

“Shtresa uniforme e borës ka mbuluar gjithë territorin dhe qytetarët kanë shfrytëzuar këtë moment për të dalë në natyrë”, deklaroi ai në Tv Dukagjini.

Sipas Rugovës, temperaturat minimale gjatë netëve në vijim do të arrijnë deri në -8°C ose -9°C në zonat e ulëta dhe deri në -12° C apo -13° C në zonat malore. Megjithatë, temperaturat nuk do të jenë ekstreme krahasuar me të kaluarën. Si shembull, ai përmendi janarin e vitit 1985, kur në Prishtinë u regjistrua një temperaturë rekord prej -27.2° C.

Meteorologu parashikoi mot të qëndrueshëm për shtatë ditët e ardhshme, me kthjellime dhe pa reshje të reja. “Gjatë javës së ardhshme, temperaturat minimale do të jenë më të ulëta nën kushtet e kthjellëta, ndërsa gjatë ditës do të qëndrojnë ndërmjet -1° C dhe +2° C,” tha Rugova.

Ai shtoi se në zonat e ulëta mund të ketë mjegull të lehtë gjatë mëngjesit, por në përgjithësi moti do të jetë i kthjellët dhe i qetë.

Rugova vuri në dukje se vitet e fundit kanë qenë me dimra të butë dhe reshjet e borës kanë qenë të rralla. Kjo ka bërë që bora e kësaj jave të mirëpritet nga qytetarët, të cilët e kanë shijuar këtë ndryshim në kushte atmosferike. /Telegrafi