Bislimi takon diplomaten amerikane, diskutojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit

Bislimi takon diplomaten amerikane, diskutojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit

Aktuale January 13, 2025 - 15:28

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti ditën e sotme në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Gjatë këtij takimi, ata bashkëbiseduan rreth partneritetit Kosovë - SHBA dhe për fuqizimin e thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Në njoftimin për media, ndër të tjera, bëhet e ditur se temë e diskutimit ishin edhe zgjedhjet e ardhshme e fushata, e cila sapo ka filluar dhe pritshmëritë e 9 shkurtit.

Në takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesi i dialogut e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Zëvendëskryeministri e falënderoi Prattipatin për bisedën e sotme e bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.