Kurti viziton atelienë historike në Gjakovë, pronari i së cilës ishte arrestuar për skulpturën e Skënderbeut

Kurti viziton atelienë historike në Gjakovë, pronari i së cilës ishte arrestuar për skulpturën e Skënderbeut

Aktuale January 13, 2025 - 13:55

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njëherësh edhe kandidati i LVV-së edhe për një mandat tjetër në këtë post, ka vizituar atelienë më të vjetër në Gjakovë, që funksionon që nga viti 1971.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se kjo atelie ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare.

“Në vitin 1980, pronari i ateliesë u arrestua nga regjimi i Jugosllavisë për ‘propagandë armiqësore me motive kombëtare’, pas krijimit të një skulpture të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, thuhet në njoftim.

Skulptura u bë shkak për arrestimin e tij, pasi autoritetet e asaj kohe e shihnin si një akt të rrezikshëm për regjimin.

Megjithatë, kjo skulpturë dhe ky guxim janë një simbol i qëndresës dhe i besnikërisë ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve.

“Ai kishte skulpturuar vetëm dy të tilla gjatë jetës, njërën ja kishte dhuruar presidentit Ibrahim Rugova dhe njëra iu dhurua tash kryeministrit Kurti”, njoftoi LVV-ja.