Rifillon procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Rifillon procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Aktuale January 13, 2025 - 07:59

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin sot para trupit gjykues në Hagë.

Gjykata Speciale rifillon punën pas pushimit dimëror, me seancë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Seancat do të rikthehen në orarin e tyre të rregullt, nga e hëna në të enjten, me fillim nga ora 09:00.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.

Gjatë vitit 2024 në këtë rast janë mbajtur gjithsej 107 seanca, kurse në total janë kaluar 182 ditë në sallën e gjyqit që nga fillimi i gjykimit. Kanë dëshmuar gjithsej 110 dëshmitarë të ZPS-së.

Gjatë vitit 2023 dëshmuan 39 prej tyre dhe dëshmitari i 39-të e përfundoi dëshminë në janar 2024. Gjatë vitit 2024 kanë dëshmuar edhe 71 dëshmitarë të tjerë. Aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë proces është 154.