IHMK-ja apel për shkak të ngricave: Kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve, këmbësorët e të moshuarit
Foto: Laura Hasani

IHMK-ja apel për shkak të ngricave: Kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve, këmbësorët e të moshuarit

Aktuale January 12, 2025 - 23:57

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë një ciklon që ka ardhur nga jugu i Italisë dhe rajoni i Detit Jon ka sjellë reshje intensive në disa zona, kryesisht me lartësi mesatare dhe një rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.

Në njoftimin e këtij instituti thuhet se kjo situatë meteorologjike pritet të vijojë me reshje të reja bore, kryesisht ditën e hënë.

Për shkak se ngricat tashmë janë prezente në të gjitha zonat, siç thuhet në njoftimin e IHMK-së, duke e bërë qarkullimin më të vështirë, ky institut ka apelur për kujdes nga drejtuesit e automjeteve, këmbësorët dhe të moshuarit.

“Rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të jenë të pajisur me mjete dimërore dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme”.

“Gjithashtu, këmbësorët dhe personat e moshuar këshillohen të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur rrëshqitjet dhe incidentet në rrugë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.