Reshje bore dhe erë e fortë në Qafë të Qarrit, qarkullimi i mjeteve i vështirësuar
Reshjet e dendura të borës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në Qafë të Qarrit.
Për të mbajtur të hapura dy akset kryesore që lidhin Korçën me Ersekën, janë angazhuar 7 mjete borëpastruese, ku 4 prej tyre po punojnë në rrugën e vjetër.
Ndërhyrjet përfshijnë pastrimin e dëborës dhe kriposjen e rrugëve nacionale për të parandaluar ngricat dhe për të lehtësuar qarkullimin.
Policia rrugore është e pranishme në zonë për të siguruar respektimin e masave të sigurisë. Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në këtë aks janë të detyruar të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, përndryshe do t’u ndalohet qarkullimi.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve në këto kushte të vështira atmosferike.