Hetimet e Speciales, avokatët thonë se po shkelen të drejtat e të pandehurve
Shukri Buja, Halil Çadraku e Sokol Bashota ishin ndër ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët për rreth 5 vite ishin në hetim nga zyra e Prokurorit të Specializuar.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, në momentet kur të njëjtit kishin udhëtuar drejt Hagës për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte, ishin njoftuar se hetimet ndaj tyre kanë pushuar.
Periudha prej shumë vitesh nën hetim, sipas avokatit Taulant Hodaj, është shkelje e të drejtave të të pandehurve, ndërkohë që thotë se ka ende persona që janë nën hetim nga prokuroria.
“Tani patëm rastin që para gjykatës të ngrisim çështjen e njëjtë, sa isha në Gjykatën Speciale, dhe aty u ankuam para gjykatës se ka mbi pesë vite dhe është shkelje e të drejtave të dyshuarit që mbi pesë vite të mbahet peng si dyshuar, pa pasur një vendim për ngritje të aktakuzës apo pushim të hetimeve” , ka deklaruar Hodaj për RTV Dukagjinin.
Të padrejtë këtë e sheh edhe avokati Artan Qerkini, i cili thotë se gjithmonë Zyra e Prokurorit të Specializuar është arsyetuar se nuk ka kohë të caktuar për përfundimin e hetimeve.
“Është dashur që më herët për shkak të sigurisë juridike të një personi, është dashur më herët që hetimet të ndërpriten, mirëpo vazhdimisht Prokuroria është arsyetuar se rastet janë komplekse, se nga koha kur pretendohet se janë kryer veprat dhe koha kur po hetohen, ka kaluar një periudhë e gjatë dhe ata kanë vështirësi në gjetjen e provave”, ka deklaruar Qerkini.
Televizioni ka pyetur edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë për numrin e personave ndaj të cilëve janë pushuar hetimet, por të njëjtit kanë thënë se nuk diskutojnë asgjë rreth hetimeve të tyre.
Sali Mustafa e Pjetër Shala tashmë janë dënuar nga Dhomat e Specializuara për Kosovën për krime lufte, ndërkohë që po vazhdon procesi gjyqësor edhe më tutje ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.