Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve

Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve

Aktuale January 11, 2025 - 12:10

Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot nisën punimet e edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve.

Në hapjen e kësaj konference, mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se historia jonë është një histori suksesi, e një demokracie e cila lulëzon përkundër sfidave të sigurisë, e rritjes ekonomike, që pasqyron sundimin e ligjit dhe liritë qytetare dhe ekonomike, dhe një populli i cili u çlirua përballë aparteidit dhe gjenocidit.

Ai tërhoqi vëmendjen se përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, Serbia vazhdimisht përdor propagandën e dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe në mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Ju e dini që sot kemi një betejë të narrativave, e në këtë betejë koha dhe profesionalizmi janë armët kyçe. Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet. Të gjithë e dimë që e vërteta fiton në fund, por më mirë është kur fiton më herët sesa në fund. E vërteta është në favorin tonë”, tha ai.

Në fjalën e tij, kryeministrit theksoi se angazhimi drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, Bashkim Evropian, organizata ndërkombëtare, sidomos në NATO, njohje dhe avancim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës mbetet objektiv i yni i përbashkët.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si dhe ministra e zëvendësministra e deputetë të Kuvendit së bashku edhe me ambasadorë e përfaqësues të Republikës së Kosovës.