KOMF-i dorëzon propozimet për mbrojtjen e fëmijëve të kandidatëve për deputetë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka nisur fushatën për të gjetur “Mbrojtës të të drejtave të fëmijëve” në mesin e kandidatëve për deputetë që kandidojnë për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
Fushata u bën thirrje kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike t’i bashkohen propozimit të KOMF-it për krijimin e “Grupit të Deputetëve për Fëmijë” dhe të mbështesin politikat e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve.
“Mirëqenia e çdo fëmije në Kosovë është çështje ndërpartiake dhe duhet të jetë prioritet për Kuvendin. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë garantuesi kryesor i mundësive më të mira për çdo fëmijë. Prandaj, u bëjmë thirrje kandidatëve për deputetë të bëhen Mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, të nënshkruajnë Deklaratën që angazhohen të mbështesin fëmijët në Kosovë dhe me të cilën do të jenë pjesë e ‘Grupit të Deputetëve për Fëmijë’, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Grupi joformal synon të mbledhë deputetë nga parti të ndryshme politike, të cilët ndajnë qëndrimin se politikat për fëmijët dhe familjet duhet të jenë prioritet”, thotë KOMF-i.
“Me nismën ‘Grupi i Deputetëve për Fëmijë’, ne, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, bëjmë thirrje për konsensus dhe punë konstruktive ndërmjet deputetëve të Kuvendit dhe shoqërisë civile. Ne besojmë se së bashku mund të arrijmë ndryshime pozitive në politikat për fëmijët dhe familjet dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt këtij qëllimi”, thuhet në propozim. /Zëri