Luftimi i korrupsionit ndër prioritetet kryesore për vitin 2025 të Prokurorisë Themelore në Prizren
Foto: Laura Hasani

Luftimi i korrupsionit ndër prioritetet kryesore për vitin 2025 të Prokurorisë Themelore në Prizren

Aktuale January 09, 2025 - 16:29

Luftimi i veprave penale kundër korrupsionit, krimet ekonomike, fajdeja, narkotikët, dhuna në familje dhe krimet kundër mjedisit janë disa prej objektivave të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të prezantuara të enjten në tryezën e organizuar nga kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu. Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe “Draft/plani i punës për Prokurorinë Themelore të Prizrenit për vitin 2025”.

Këtë draft, kryeprokurori Kryeziu e ndau me shoqërinë civile dhe bashkëpunëtorët e jashtëm, para se të dërgohej në KPK dhe ZKPSH.

Në këtë draft janë paraqitur gjithsej 20 objektiva. Një prej tyre është luftimi i veprave penale kundër korrupsionit dhe krimet ekonomike. Lidhur me këtë, secili prokuror do të përshkruajë planin për trajtimin e lëndëve, mënjanimin e pengesave ligjore dhe parashikimin për kohën e përfundimit të tyre.

Një tjetër objektiv është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim rritjen e besimit të publikut, transparencës dhe llogaridhënies.

Përveç luftimit të korrupsionit, plani përfshin edhe trajtimin e fajdesë, narkotikëve, dhunës në familje dhe krimeve kundër mjedisit. Ngritja e efikasitetit, llogaridhënies, transparencës dhe besimit të publikut janë gjithashtu prioritete kyçe në kuadër të këtij draft/plani./BetimipërDrejtësi