AGK-ja kundër bojkotit të Vetëvendosjes ndaj mediave, e fton ta rishqyrtojë pozicionin e saj

AGK-ja kundër bojkotit të Vetëvendosjes ndaj mediave, e fton ta rishqyrtojë pozicionin e saj

Aktuale January 09, 2025 - 12:28

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes njoftimit, është i shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

"Paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj", thuhet në njoftimin e AGK-së, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë.

Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes të tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele”. Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë.