58 pacientë janë diagnostikuar me sklerozën multiple në Kosovë
Skleroza multiple është sëmundje e njeriut, në sistemin nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundjeje janë: ligështimi (dobësimi) në duar ose këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur); dridhjet; artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.
Në lidhje me këtë sëmundje është deklaruar neurologu Milaim Krasniqi.
Ai në një prononcim për portalin rtv21.tv ka thënë se në regjistrin kombëtar të sëmundjes në Kosovë janë të regjistruar 667 pacientë me sklerozë multiple, ndërsa mesatarisht në vit diagnostikohen 58 pacientë me sklerozën multiple, me moshat mesatare 28 në kohën e diagnostikimit.
Simptomat e para të sklerozës multiple tek adoleshentët, sipas tij janë mpirja ose dobësimi në një ose më shumë gjymtyrë, ndjesitë e goditjes elektrike që ndodhin me lëvizje të caktuara të qafës dhe probleme me funksionin seksual.
“Shenjat dhe simptomat e sklerozës multiple mund të ndryshojnë shumë nga personi në person dhe gjatë rrjedhës së sëmundjes mund të manifestohen simptoma të ndryshme. Simptomat e zakonshme përfshijnë: Mpirja ose dobësimi në një ose më shumë gjymtyrë që zakonisht ndodh në njërën anë të trupit në të njëjtën kohë, ndjesia e shpimit të gjilpërave, ndjesitë e goditjes elektrike që ndodhin me lëvizje të caktuara të qafës, veçanërisht përkuljen e qafës përpara, mungesa e koordinimit, ecja e paqëndrueshme ose paaftësi për të ecur, humbja e pjesshme ose e plotë e shikimit, zakonisht në një sy në një kohë, shpesh me dhimbje gjatë lëvizjes së syrit, shikimi i dyfishtë, turbullimi i shikimit, marramendja, probleme me funksionin seksual, funksion të zorrëve dhe të fshikëzës urinare, plogështia, të folurit i paqartë, problemet njohëse, ç’rregullimet e humorit”, tregon Krasniqi.
A ka faktorë trashëgues skleroza multiple dhe si shfaqet?
“Shkaktarët e sklerozës multiple janë të panjohura. Konsiderohet një sëmundje e ndërmjetësuar nga imuniteti, në të cilën sistemi imunitar i trupit sulmon indet e veta. Nuk është e qartë pse skleroza multiple zhvillohet te disa njerëz dhe jo tek të tjerët. Duket se përgjegjës janë kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Rreziku për t’u zhvilluar skeroza multiple rritet nëse njëri nga prindërit ose vëllezërit apo motrat vuan nga skleroza multiple”, bënë të ditur.
Sa është e pranishme në Kosovë kjo sëmundje?
“Në Kosovë, në regjistrin kombëtar të sëmundjes janë të regjistruar 667 pacientë me sklerozë multiple dhe 551 prej tyre marrin terapi imunomodulatore, duke bërë që 83% të pacientëve të jenë nën trajtim. Mesatarisht në
vit diagnostikohen 58 pacientë me sklerozën multiple, mosha mesatare në kohën e diagnostikimit është 28, kurse mosha mesatare e pacientëve është afër 40”, tha neurologu për portalin rtv21.tv
Sa u përket gjinive më të atakuara nga kjo sëmundje, ai thotë se kjo sëmundje e prek më së shumti gjininë mashkullore.
“Gjinia femërore kanë 2-3 herë me shumë gjasa të preken nga Skleroza Multiple se meshkujt. Skleroza Multiple mund të ndodhë në çdo moshë, por fillimi zakonisht ndodh rreth moshës 20 deri 40 vjeç. Megjithatë, mund të preken edhe fëmijët dhe të moshuarit”, tha Krasniqi.
Ndërkaq sipas neurologut qytetarët në Kosovë kanë pak informim në lidhje me këtë sëmundje.
“Kosovarët janë shumë pak të informuar për këtë sëmundje, por gradualisht me shtimin e informacioneve në rrjetet e informimit dhe me ngritjen e ekipeve të veçanta profesionale për trajtimin e sëmundjes, po rritet informimi dhe vetëdijesimi për këtë sëmundje te popullata jonë, veçanërisht tek pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje”, thekson Krasniqi.