Jasharaj paralajmëron greva pas 9 shkurtit, nëse kërkesat nuk përmbushen nga qeveria e re

Jasharaj paralajmëron greva pas 9 shkurtit, nëse kërkesat nuk përmbushen nga qeveria e re

Aktuale January 09, 2025 - 08:09

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se kjo sindikatë do të kërkojë të drejtat e mësimdhënësve nga çdo qeveri, madje theksoi se nëse kërkesat nuk përfillen, do të pasojnë greva dhe protesta në arsim.

Në një intervistë për Ekonominë Online, Jasharaj ka thënë se cilindo subjekt politik që vjen në pushtet, Sindikata do ta konsiderojë që është vullnet i popullit dhe do të tentojë që të komunikojë dhe të ketë dialog me të.

“Ne do t’i kërkojmë të drejtat tona dhe nëse nuk i realizojnë, le ta dinë se prapë do të ketë greva e protesta nga SBASHK-u, nëse kërkesat tona nuk përfillen nga qeveria që do të vijë nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, paralajmëroi ai.

Jasharaj ka deklaruar se Sindikata po ndjek me vëmendje fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëbisedojë me të gjitha partitë garuese.

Ai ka potencuar se ka premtime për rritje pagash dhe një qasje më pozitive ndaj sindikatave.

Sipas tij, vitet e fundit nën qeverisjen e Kurtit kanë qenë të vështira për sindikatat, pasi kanë munguar dialogu dhe bashkëpunimi.

“Ne jemi duke përcjellë me vëmendje para fushatën dhe do ta përcjellim edhe fushatën për të parë se çfarë po thonë, sidomos kandidatët për kryeministër, deklarimet e para të kandidatit të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, premtimet janë të mëdha, urojmë të jenë ashtu. E kam fjalën edhe te vlera e koeficientit 150 që do të ndikojë në rritjen e pagave. Ata kanë premtuar që do të kenë qasje ndryshe ndaj sindikatave dhe besoj që deklarimet e tyre do t’i mbajnë dhe do të kemi një frymë tjetër karshi situatës që kemi. Këto katër vjetët e qeverisë ‘Kurti’ i kemi pasur vite të vështira, sepse ka ndikuar dialogu. Ai bashkë me kabinetin e tij ka pasur një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave duke mos përfillur as kërkesën për takime as dialogun. Jemi ndër shtetet e rralla që Këshilli Ekonomik Social është barrikaduar dhe bllokuar me fajin e ministrit Murati. Mbrapa kësaj nuk ka mbetur as ministrja Nagavci, që nga greva e vitit 2022 nuk ka gjetur asnjë ditë kohë të ulemi dhe të bisedojmë jo vetëm me ne, por edhe me Këshillin e Prindërve”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj thekson se të gjithë mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për t’u avancuar, por sipas tij janë të përgatitur që ta mbajnë orën ashtu siç është.

“Ne gjërat që ndodhin në arsim i mësojmë nga mediat, por nuk jemi të kyçur në asnjë aktivitet që zhvillon MASHTI dhe në rastin e fundit është edhe procesi i avancimit, i cili është mbajtur jashtë çdo transparence dhe mësimdhënësit nuk e ka ditur se çka po i pret. Nuk është mirë që t’i jepet kahja tjetër. Është normale që të gjithë mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për tu avancuar, por janë të përgatitur ta mbajnë orën ashtu siç është”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai beson se opozita ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe do të ketë një qasje ndryshe nëse vjen në pushtet.

“Presim që do të jetë një fushatë tepër e ngjeshur, presim se çka po na thonë të gjitha palët, nëse na thërrasin për t’u takuar ne do të takohemi dhe do të bisedojmë me ta. Besoj që opozita ka mësuar nga e kaluara dhe nëse vjen në pushtet nuk do t’i bëjë gabimet që i ka bërë dikur, besoj që kjo Qeveri që është tani do ta ndryshoj qasjen jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj gjykatave, mediave. Ngase qëndrimi i Kurtit ka qenë armiqësor ndaj sindikatave e veçmas ndaj neve që së bashku me Muratin kanë dashur ta shuajnë në tërësi duke e shpikur eKosova”, ka theksuar ai.

Sa i përket Qeverisë aktuale, Jasharaj ka kritikuar qëndrimin armiqësor të Kurtit dhe Muratit ndaj sindikatave, duke pohuar se ata kanë tentuar t’i shuhen ato dhe të kontrollojnë punëtorët.

“Ne kemi menduar që Vetëvendosja do të jetë ajo ngase programi i saj ka qenë shumë social, para zgjedhjeve dhe ardhjes në pushtet, Kurti na ka premtuar mrekulli dhe asnjë nga këto nuk e ka bërë, dhe zhgënjimi ynë nuk është vetëm pse nuk i kanë mbajtur premtimet, por zgjerimi ynë është pse kjo qasje tmerrësisht e gabuar ndaj nesh dhe mundohen të na nxjerrin te publiku si armiqtë e tyre. Gjegjësisht ata janë armiqtë e sindikatave, sepse kanë dashur t’i shuajnë sindikatat, dhe të bëjnë çfarë të duan me punëtorët”, potencoi ai.

Ai gjithashtu ka shprehur zhgënjim për premtimet e papërmbushura të Vetëvendosjes, veçanërisht për programin social dhe premtimet për sindikatat.

“E keqja është sepse edhe të drejtat që i kemi pasur të fituara qeveria ‘Kurti’ gradualisht na ka mohuar, tri premtimeve që kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha ka kaluar në ndëshkime të mëdha. Edhe nxitja e armatës së tyre në Facebook që të na shajnë dhe të na fyejnë, në tërë sistemin arsimor dhe të tjerët që kanë ngritur zërin. Qeveria ‘Kurti’ uroi që mos të vijë më si e tillë në Kosovë, uroj që të vijë koalicion partisë sepse kur ka koalicion asnjëri nuk e ndjen që është më i madh i këtij vendi por bashkëpunojë”, shtoi Jasharaj.