10 mijë vajza janë vaksinuar për HPV, Vitia njofton fillimin e vaksinimit edhe për djemtë
Foto: Laura Hasani

10 mijë vajza janë vaksinuar për HPV, Vitia njofton fillimin e vaksinimit edhe për djemtë

Aktuale January 08, 2025 - 13:39

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka njoftuar se do të fillojë vaksinimi me vaksinën HPV për djemtë, vaksinë kjo që parandalon shumë lloje të kancerëve.

Ai ka thënë se vaksinimi për vajzat për HPV ka filluar vitin e kaluar dhe se deri tani me këtë vaksinë janë vaksinuar 10 mijë vajza.

“Sot është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve dhe politikave shëndetësore. Ky është një hap thelbësor për parandalimin e sëmundjeve serioze. Ky virus shkakton shumë telashe dhe shumë lloje të kancerëve. Në vitin e kaluar miratuam përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e fëmijëve. Nuk është një mundësi vetëm për vajzat, por edhe për djemtë për të parandaluar shumë sëmundje serioze, HPV është virus shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi i djemve është një hap i rëndësishëm”, tha Vitia.

Vitia ka thënë se vaksinimi është i domosdoshëm, pa marrë parasysh gjininë.

“Deri tani janë 10 mijë vajza nga grupi i synuar për t’u vaksinuar. Vaksinimi i të rinjve pa marr parasysh gjininë është i domosdoshëm”, ka thënë ai.

Ardita Baraku, drejtoreshë e IKSHPK-së, ka thënë se ky vaksinim është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e kancerëve dhe sëmundjeve të tjera për të dy gjinitë.

“Është mjet efikas për mbrojtën e kancerëve dhe sëmundjeve te tjera për të diagnostikimin e të dy gjinive. Është e rëndësishme të vazhdojë ky trend i mirë i imunizimit dhe t’i kemi të mbrojtur fëmijët tani për një të ardhme të shëndetshme”, tha ajo.

Shefja e Njësisë së Vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj, ka thënë se nga 10 mijë dozat e dhëna deri më tani në Kosovë nuk ka pasur asnjë efekt anësor.

“84 për qind kemi arritur që të kemi vaksinimin e vajzave me HPV. Gjithë djemtë e vajzat e klasave të gjashta o të vaksinohen. Vaksina është e sigurt dhe efektive dhe do të ofrohet pa pagesë. 10 mijë doza janë dhënë dreri tani në Kosovë dhe asnjë efekt anësor serioz nuk është paraqitur”, tha Fetaj. /EO