IPK-ja kërkon suspendimin e një koloneli dhe inicion procedurë disiplinore ndaj majorit, morën pjesë në tubime politike
Foto: Laura Hasani

IPK-ja kërkon suspendimin e një koloneli dhe inicion procedurë disiplinore ndaj majorit, morën pjesë në tubime politike

Aktuale January 08, 2025 - 11:10

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, ku janë përfshirë një gradë e kolonelit policor dhe një major.

IPK-ja në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK-ja bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore”.

“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe çdo përfshirje ose perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik”, ka njoftuar IPK-ja. /Zëri