Mustafa: Lajm i keq për Kurtin, qytetarët s’e shesin votën për disa shtesa
Foto: Laura Hasani

Mustafa: Lajm i keq për Kurtin, qytetarët s’e shesin votën për disa shtesa

Aktuale January 08, 2025 - 09:13

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se kryeministri Albin Kurti gjatë katër vjetëve të tij në pushtet nuk ka realizuar asnjë projekt të prekshëm dhe afatgjatë, që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Sipas Mustafës, mandati i Kurtit ka kaluar duke u ankuar për të kaluarën dhe duke tentuar të blejë votat e qytetarëve përmes shtesave financiare të ofruara në prag të zgjedhjeve.

Në një intervistë për Ekonominë Online, ai ka theksuar se këto shtesa janë vetëm një përpjekje për të mashtruar qytetarët dhe për të blerë vota përmes dhënies së mjeteve financiare për fëmijët, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara, por pa asnjë projekt të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Mustafa ka thënë se ka “një lajm të keq për Kurtin dhe LVV-në” se qytetarët e Kosovës nuk e shesin votën dhe nuk e shesin të ardhme e fëmijëve të tyre.

“Këto katër vjet Kurti nuk ka bërë asnjë punë reale të prekshme, afatgjate sa u përket qytetarëve ose projekteve kapitale. I gjithë mandati i tij ka shkuar fillimisht duke u ankuar në 20 vitet e kaluara e në fund duke tentuar që të blejnë votën e qytetareve që është duke e dhënë një shtesë qoftë për fëmijët, qoftë për nënat, qoftë për pensionistet, jo diçka afatgjate e të qëndrueshme. Thjesht një muaj para zgjedhjeve duke u dhënë nga një shtesë me shpresën që ata njerëz pastaj do e shesin votën e tyre. Kam një lajm shumë të keq për Kurtin dhe VV-në, qytetarët e Kosovës nuk e shesin votën e tyre, nuk e sheshin të ardhmen e tyre, të fëmijëve e të familjeve të tyre, e aq më pak për këto vlera qesharake e ofenduese që mendon Kurti që t’i mashtroj financiarisht”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu theksoi se veprimet e Kurtit janë të orientuara vetëm për të blerë vota dhe se sondazhet dhe informacionet nga terreni tregojnë se ai ka humbur mbështetje dhe se Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk do të jetë partia e parë në zgjedhjet e ardhshme.

“Çdo veprim i Kurtit ka qenë në tendencën e tij për të blerë vota, ai është i vetëdijshëm, gjitha sondazhet nga tereni dhe informatat nga terreni i vijnë që e ka humbur shumicën, nuk do të jetë partia e parë në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj tenton me këso lëvizje nga shtesa 100 euro apo 20 euro, varësisht prej skemës tenton që të blejë vota të qytetarëve. Përsëris edhe një herë kam një lajm shumë të keq për Kurtin, qytetarët e Kosovës nuk e shesin votën, nuk e shesin të ardhmen e fëmijëve të tyre. LDK-ja ka numrin 124 ky është numri i ndryshimit, ky është numri i fitores, ftoj qytetarët e Kosovës masivisht të kthehen te LDK-ja, te shtëpia e madhe politike e tyre që nga viti 89 e tutje”, ka thënë ai.