Sorenseni dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë në mes të dy kandidatëve për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë mëson se diplomati nga Danimarka Peter Sorensen dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë, të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.
Ndërkohë, në BE nuk japin ndonjë hollësi për këtë dhe vetëm konfirmojnë se “procesi i zgjedhjes është në vazhdim e sipër”.
“Mandati i përfaqësuesit të lartë Miroslav Lajçak mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Zgjedhja e pasardhësit të tij është momentalisht në vazhdim e sipër dhe në do të japim njoftime të reja me kohë”, ka thënë Annita Hipper, zëdhënëse e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Nëse BE-ja dëshiron të sigurojë që të mos ketë vakuum, atëherë procedura e caktimit të dërguarit të ri të posaçëm për dialogun do të duhej të përmbyllej para fundit të këtij muaji, kur Lajçakut do t’i përfundojë mandati zyrtarisht.
Por, përveç vendimit të përfaqësueses së lartë Kallas për emërimin e pasardhësit të Lajçakut, duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Grupet punuese në Këshillin e BE-së janë duke u marrë me këtë çështje tani.
Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se që të dy kandidatët do të konsideroheshin si një zgjedhje e duhur, por mes tyre ka disa dallime.
Këto burime thonë se, nëse Kallasi do të vendosë të ketë në atë post një person me një peshë më të madhe politike, atëherë përparësi do të kishte ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. Edhe në rastin kur Lajçak kur ishte zgjedhur në këtë postë para pesë vjetësh, si përparësi ishte përmendur fakti se ai kishte qenë ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të bllokut.
Por, në anën tjetër, thonë këto burime, nëse Kallasi dëshiron që vetë të merret më shumë më procesin e dialogut në aspektin politik, atëherë Sorenseni konsiderohet si kandidat më i përshtatshëm, sepse ka shumë vite që punon në strukturat e Shërbimit të Vlerësimi të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe mbi vete do të merrte më shumë ndërmjetësimin në çështjet teknike në dialog.
Burimet diplomatike nga vendet anëtare të BE-së vlerësojnë se Sorenseni ka pak më shumë gjasa sesa Haavisto.