BE-ja, thirrje Kosovës për miratim të projektligjit që rregullon statusin e Kishës Ortodokse serbe
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës për miratimin e Projektligjit për lirinë fetare, përmes të cilit pritet të definohet statusi për Kishën Ortodokse serbe.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në konferencën e sotme për media tha se miratimi i këtij ligji në Kuvendin e Kosovës është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë, kur u pyet mbi statusin e Kishës Serbe.
“Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, ne bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit janë dakorduar që të palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”, thuhet ndër të tjera në Nenin 7 të marrëveshjes së 27 shkurtit 2023.
Për këtë çështje në mars të 2023-s kishte folur kryeparlamentari Glauk Konjufca, ku kishte thënë se Kisha Ortodokse serbe nuk mund të bëhet me status special.
Ai kishte thënë se shteti sekular i Kosovës e ka “distancën e barabartë ndaj çdo bashkësie fetare në Kosovë”, duke përfshirë edhe atë ortodokse.
“Është larg barabartë të gjithave njëjtë. Kisha ortodokse tash nuk mundet me kërku për një status special në shtetin e Kosovës, ku ne e nënshkruajmë atë”.
Megjithatë, Konjufca kishte thënë se “statusin do ta definojmë se i mungon”.