Rexhepi: Deklarata e Grenellit shqetësuese, ka kompetenca vendimmarrëse me pasoja për qeverinë “Kurti”
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, e ka quajtur si shqetësuese deklaratën e emisarit të posaçëm, Richard Grenell, i cili ka thënë se hera e vetme në 35 vjet kur në marrëdhëniet Kosovë-SHBA ishin në krizë, janë me Kurtin si kryeministër.
Në një intervistë për Ekonominë Online, Rexhepi ka thënë se Grenelli do të ketë kompetenca të mëdha vendimmarrëse si pjesë e mandatit të tij në udhëheqjen e presidentin Trump, duke theksuar se kjo mund të sjellë pasoja direkte dhe indirekte për qeverinë “Kurti”.
Ai vuri në dukje se përshkrimi i Grenellit si emisar special nënkupton një rol të fuqishëm, që mund të përfshijë edhe mundësi për të ndërhyrë në proceset politike dhe diplomatike në Ballkan.
“Grenelli ka me vite që deklaron rreth raporteve me qeverisjen e Kurtit. Deklarata e djeshme e Grenellit për mua është shumë shqetësuese, sepse sipas informacioneve zyrtare Grenelli do të jetë emisar special i presidentit Trump. Kjo do të thotë që ai do të ketë edhe kompetenca vendimmarrëse edhe propozim ekzekutivi në atë formë që mund të ketë pasoja direkte ose indirekte si për qeverinë ‘Kurti’, si për raporte ose edhe si për vendimmarrjen, si për procedurat që do të zhvillohen ose rreth bisedimeve ose ndërmjetësimeve të caktuara ose rreth formës së organizmit të bisedimeve në të ardhmen. Unë apeloj që qeveria ‘Kurti’ urgjentisht ta ndërrojë strategjinë e veprimit, sepse presidentin Trump më 20 janar e merr pushtetin”, ka thënë ai.
Rexhepi apeloj te qeveria “Kurti” që të ndryshojë urgjentisht strategjinë e veprimit, pasi ai tha se presidenti Trump, i cili ka fituar zgjedhjet me një shumicë të madhe e po ashtu ka fituar shumicën në Senat dhe në Kongres, mundësinë e ekzekutimit të propozimeve të Grenellit është e padiskutueshme.
“Grenelli ka marrë një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse vetë termi emisar special nënkupton shumëçka për ata që merren me diplomaci, vetë fakti që Grenelli veç ka paralajmëruar që do të ketë dy vende problematike, Venezuelën edhe Korenë e Veriut, mirëpo edhe Ballkanin që do të jetë nën organizmin e tij. Vetë fakti që Grenelli ka kaq kompetenca qeveria ‘Kurti’ duhet ta ketë shumë, shumë parasysh këtë fakt. Ishte shumë shqetësues elementi që deklaroi Grenelli që brenda 35 vjetësh kanë pasur SHBA-ja raporte shumë të mira edhe me qeverisjen e presidentin Rugova, edhe të Thaçit, edhe të Hotit. Ky është një fakt shumë shqetësues, sepse është zyrtar i lartë, me shumë kompetenca, zyrtar me mundësi të ndikimit të madh te presidenti i SHBA-së, mirëpo shqetësimi edhe më i madh është, që Trumpi i fitoi zgjedhjet me shumicën e votave, edhe shumicën në Senat, edhe shumicën në Kongres, mundësia e ekzekutimit të propozimeve të tij është 100 për qind e mundshme”, ka thënë ai.
I emëruari nga Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili ka deklaruar se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme, e përmendi edhe vetë Grenellin.
Grenelli ka thënë se hera e vetme në 35 vjet kur në marrëdhëniet Kosovë - SHBA ishin në krizë, janë me Kurtin si kryeministër.
Ai ka përmendur presidentin historik Ibrahim Rugova, Ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, për të cilët ka thënë se kanë pasur raporte të shkëlqyeshme si me Republikanët, ashtu edhe me Demokratët.
“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vjet kur marrëdhëniet Kosovë – SHBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, deklaroi Grenelli.