Baraliu: Presioni ndërkombëtar bëri që Lista Serbe ta marrë numrin zgjedhor
Foto: Laura Hasani

Baraliu: Presioni ndërkombëtar bëri që Lista Serbe ta marrë numrin zgjedhor

Aktuale January 07, 2025 - 10:40

Ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Mazllum Baraliu, ka thënë se presioni i ndërkombëtareve, i cili sipas tij ishte ndërhyrje në institucionet e pavarura të Kosovës, ndikoi që Lista Serbe u certifikua dhe mori numrin e saj gjatë hedhjes së shortit për të garuar në zgjedhje.

Në një intervistë për Ekonominë Online, ai ka thënë se pa dyshim që procesi i tërheqjes së shortit për numrat në fletëvotime është i barabartë për të gjitha subjektet politike dhe nuk duhet bërë dallime mes partive. Por, siç shpjegon ai, veprimet e Listës Serbe janë destruktive.

“Nuk është përzgjedhje e njëjtë sikurse e subjekteve të tjera politike, u është caktuar shorti dhe është një veprim i cili është i njëjtë, si dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjitha subjektet politike sa i përket nxjerrjes së numrave. Sa i përket certifikimit të Listës Serbe si subjekt, është një problem thjesht me veprimet e saj se Lista Serbe përgjatë viteve ka treguar dhe dëshmuar që bën veprime më tepër, sipas perceptimit të opinionit publik, por dhe subjekteve politike, si dhe institucioneve të shtetit, pra veprime destruktive, të cilat disa herë-herës kalojnë caqe të një sjelljeje normale dhe kushtetuese, jo vetëm të qytetarëve, por edhe të një subjekti politik”, tha Baraliu.

Ai ka theksuar se nën presionin ndërkombëtar me nguti PZAP-i dhe Gjykata Supreme nxorën një verdikt të padefinuar, si dhe diskutabil.

“Në ndërkohë, jemi kështu si jemi të paorganizuar, pati presion në këtë rast, ai ishte edhe ndërkombëtarë dhe i zyrave diplomatike që nuk e kanë atë detyrë, nuk e kanë për detyrë ato të ndërhyjnë dhe të përzihen dhe të reagojnë pa një pa dy në punën e institucioneve të pavarura, pra kushtetuese siç është KQZ, por në ato ndikime dhe në këtë qefull të veprimeve, veprojnë shpejt dhe PZAP dhe Gjykata Supreme dhe e kemi një verdikt çfarë kemi të padefinuar, diskutabil do të thosha unë që thjesht me nguti dhe me një ndërhyrje politike, ndonëse kishte dhe procedura ankimore nga subjekti politik Vetëvendosja, por Lista Serbe u certifikua dhe sot e ka marrë numrin e saj me të cilin do të garojë në zgjedhje si të gjitha subjektet politike për zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha Baraliu për Ekonominë Online.

Ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor të Kosovës, Baraliu, ka theksuar rëndësinë e procesit të tërheqjes së shortit për numrat në fletëvotime për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke e quajtur atë një obligim.

Baraliu ka theksuar se përveç aspekteve teknike, tërheqja e shortit ka edhe një rëndësi të madhe për partitë politike, pasi u jep atyre numrat që do t’i ndihmojnë në përgatitjen e materialeve informuese dhe marketingu.

“Kryerja e një obligimi të planit operacional që ka ndikim për të hapur rrugë në kryerjen e operacioneve të tjera siç është përgatitja përmbajtjesore dhe dizajni i fletëvotimeve, shtypja e tyre dhe porosia e tyre dhe punët e tjera siç janë procesi i votimit të diasporës më 9 të këtij muaji dhe më 11 fillimi i fushatës. Nga ky këndvështrim, është jo vetëm i rëndësisë teknike, por ka edhe rëndësi përmbajtjesore dhe efekte psikologjike te njerëzit për partitë politike numri të cilin sipas shortit u ka ra subjekteve politike për të qenë subjekt në ditën e zgjedhjeve dhe për të votuar sa më shumë votues për to”.

Baraliu tha se procesi i hedhjes së shortit është i rëndësishëm, pasi në bazë të tyre, partitë politike bëjnë përgatitjet e fushatës së tyre.

“Është e rëndësishme, sepse jepen numrat, caktohet shorti dhe në bazë të atyre numrave partitë politike përgatisin materialet e ndryshme marketingu, informative për t’i njoftuar votuesit e tyre, por edhe KQZ-në ato veprime që duhet t’i ndërmarrë për operacione zgjedhore”, ka theksuar ai.