Vendimet e Speciales: Nga dënimi për komandant “Ujkun” dhe ulja e dënimit të Mustafës
E ngarkuar ka qenë puna e Gjykatës Speciale edhe në 2024. Komandant “Ujku” ishte personi i dytë që u shpall fajtor e u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.
Pjetër Shala gjatë 2024 përmbylli procesin gjyqësor i nisur prej 1 viti e gjysmë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai u urdhërua që tetë viktimat pjesëmarrëse në proces t’i paguajë mijëra euro. Rastet e tjera vazhdojnë të jenë në gjykim e sipër.
Mesi i vitit 2024 solli edhe një dënim tjetër për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë, ndaj një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjetër Shala ishte personi i parë që u ekstradua nga një shtet evropian për t’u ballafaquar me akuzat për krime të pretenduara gjatë luftës së fundit.
Shala, deri në mars të vitit 2021 kishte jetuar në Belgjikë, e që prej muajit prill u transferua në Hagë, për t’u ballafaquar me drejtësinë për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar ia ngriti.
Më 16 korrik të 2024 Shala, i njohur si komandat “Ujku”, u shpall fajtor e u dënua nga trupi gjykues me 18 vjet burgim, për krime të lufte.
Pas një gjykimi prej një viti e gjysmë, trupi gjykues vërtetoi pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për 3 nga 4 pikat e akuzës që Shala akuzohej, për periudhën maj – qershor 1999.
“Dënim me 6 vjet burgim për krimin e luftës të ndalimit arbitrar pika 1, dënim me 16 vjet burgim, për krimin e luftës së torturës pika 3 dhe dënim me 18 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme. Trupi gjykues iu dënon me dënim të njehsuar me 18 vjet burgim, në të cilën iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, ka deklaruar Mappie Veldt-Foglia – gjyqtare.
Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues konstatoi se në mënyrë aktive, Shala ka kryer veprat penale ndaj personave që konsideroheshin si të afërt me Serbinë ose që nuk e mbështesnin mjaftueshëm UÇK-në, krime që sipas Prokurorisë u kryen në fabrikën e metalit në Kukës.
Megjithatë ky nuk është vendimi i vetëm që kjo gjykatë morri në rastin e Pjetër Shalës. Për 8 viktima pjesëmarrëse, Shala është i urdhëruar të paguaj shumën prej 208 mijë eurove si kompensim.
“Trupi gjykues gjykon se shumat e kërkuara nga mbrojtësi i viktimave pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit të pësuar nga 8 viktimat dhe janë të arsyeshme sikurse parashikohet nga nenit 22 paragrafi 3 i ligjit”, ka deklaruar gjyqtarja.
Aktualisht vendimi për dënimin e tij, është dërguar në Gjykatën e Apelit. E pikërisht paneli i kësaj shkalle në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në shtator të 2024, ia uli në 15 vjet burgim dënimin ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa,
Mustafa ishte shpallur fajtor e ishte dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte, në dhjetor të vitit 2022, por që Apeli ia uli në 22 vjet në vitin 2023.
2025-shi ndërkaq pritet të jetë viti vendimtar në rastin më të madh që Gjykata Speciale e gjykon ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. /dukagjini