Mandarinat shqiptare me pesticide, Vuksani: Nga BE-ja janë gjetur substanca të ndaluara, shkaktojnë dëme

Mandarinat shqiptare me pesticide, Vuksani: Nga BE-ja janë gjetur substanca të ndaluara, shkaktojnë dëme

Aktuale January 06, 2025 - 08:13

Pedagogu dhe eksperti i bujqësisë, Gjok Vuksani, u shpreh se kthimi i produkteve “made in Albania” nga vendet e BE-së janë bërë pasi në produktet shqiptare janë gjetur pesticide të ndaluara nga BE-ja.

“Duhet të themi që është një lajm i keq kthimi i produkteve ‘made in Albania’ jo nga një vend i BE-së, por nga katër vende të BE-së nga data 29 nëntor deri në mesin e dhjetorit. Arsyeja është e thjeshtë se mbi bazën e analizave që ato kryejnë në mënyrë të randomizuar pra jo me qëllim vetëm për produktet shqiptare janë gjetur pesticide të ndaluara për t’u përdorur në BE", tha Vukasani.

Po ashtu, sipas tij, janë gjetur ca element që përdoren ca substanca që përdoren për trajtimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve në bimët bujqësore të cilat prej viti 2000 janë hequr nga qarkullimi në BE.

"Njëri prej të cilëve është hequr për arsyen se shkakton dëm të madh te njerëzit. Pavarësisht se ato janë substanca të rrezikshme, të dëmshme e të ndaluara nga BE ne vazhdojmë ti përdorim. Fermerët shqiptarë vazhdojnë t’i përdorin", u shpreh ai.

Tutje Vukasani tha se arsyeja mund të jetë panjohuria e tyre, pra ato nuk e dinë se këto substanca janë nxjerrë jashtë qarkullimit në BE si pasojë e rrezikshmërisë së tyre.

"Arsyeja e dytë mund të jetë veprimtaria abuzuese e tregtarëve që merren me produktet e tilla", u shpreh pedagogu dhe eksperti i Bujqësisë, Gjok Vuksani. /oranews