Këto janë tarifat e kalimit në autostradën e re në Shqipëri

Këto janë tarifat e kalimit në autostradën e re në Shqipëri

Aktuale January 05, 2025 - 18:20

Që prej 4 janarit, në autostradën Thumanë-Kashar ka hyrë në fuqi aplikimi i tarifës për kalim.

Ky është segmenti i parë i kategorisë “A” në Shqipëri, ndërtuar dhe mirëmbajtur nga kompania koncesionare “Gener 2”.

Pas një periudhe 6-mujore kalimi pa pagesë, kompania njoftoi në dhjetor vendosjen e tarifave për përdoruesit e kësaj infrastrukture moderne 21 kilometra të gjatë.

Tarifat janë si më poshtë:

Motoçikletat me cilindratë mbi 250 cc: 170 lekë.

Automjetet: 250 lekë ose 2.5 euro.

Kamionët, autobusët dhe mjetet mbi 2.2 metra lartësi: 620 lekë.

Mjetet me 4 ose më shumë akse: 870 lekë ose 8.8 euro.

Disa drejtues automjetesh e kanë mirëpritur tarifën, duke theksuar cilësinë e autostradës dhe lehtësimin e qarkullimit. “Ja vlen. Në Evropë tarifat janë edhe më të larta,” u shprehën disa prej tyre.

Standard i ri për infrastrukturën rrugore në Shqipëri

Autostrada Thumanë-Kashar, pjesë e “Korridorit Blu”, u hap për qarkullim në qershor të vitit të kaluar dhe përmbush standardet e Bashkimit Europian, duke lejuar një shpejtësi maksimale prej 130 km/h. Ky investim privat, që do t’i dorëzohet shtetit pas 35 vitesh, përfshin:

Tre korsi për çdo kah lëvizjeje, njëra e dedikuar emergjencave.

14 nënkalime dhe 12 ura.

Segmenti lidh Thumanën me autostradën Tiranë-Durrës, duke shërbyer si një arterie kyçe për qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj.

Ky është vetëm hapi i parë i “Korridorit Blu” Adriatiko-Jonian, që pritet të përfshijë edhe katër segmente të tjera në të ardhmen./Telegrafi/