A është veriu peng i zgjidhjes politike?
Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar idenë që për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit të diskutohet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel. Partia në pushtet Vetëvendosje thotë se çështja e veriut ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe shtirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërsa, opozita e ka kritikuar Qeverinë se po e dërgon Policinë në veri për të lënë të kuptohet se do të ketë luftë. Analistët vlerësojnë se nëse nuk ka rezultate në dialogun e Brukselit nuk mund të ketë as zgjidhje të problemeve në veri të Kosovës.
Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga Kosova që për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë Serbi në Bruksel. KFOR-i ka paralajmëruar Qeverinë që të mos ndërmerr hapa të njëanshëm as për hapjen e urës mbi Lumin Ibër dhe që zgjidhjen ta gjejë në dialog. Por, Qeveria ka thënë se për veriun nuk pranojnë të diskutojnë me Serbinë duke e konsideruar si cështje të brendshme të Kosovës. Deputeti i LVV-së, Enver Gugolli, tha se Qeveria po ndërmerr veprime në veri të vendit për shtrirje të legjitimitetit.
“Jo çështja e veriut ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe shtirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ne nuk mund të tolerojmë një situatë ku mbizotëronte gjithçka përveç rendit dhe ligjit. Ne nuk do ta tolerojmë asnjëherë një situatë të tillë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me çështjen e dialogut”, ka thënë Dugolli.
Partitë në opozitë kanë kritikuar Qeverinë se me ideologji dhe veprime nacionaliste po fusin frikën tek qytetarët e Kosovës se mund të ketë luftë në veri të vendit. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se të dhënat nuk tregojnë se mund të ketë diçka të tillë. Sipas tij, Qeveria duhet t’i zbatojë obligimet e marrëveshjes së Brukselit duke dërguar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kushtetuese.
“Po i dërgojnë Policinë në veri për të lënë të kuptohet se do të ketë luftë, por të dhënat nuk tregojnë se mund të ketë diçka të tillë. Zgjidhja politike për veriun ka ndodh. Marrëveshja e Brukselit duhet të filloj të zbatohet dhe të dërgohet draft-statusi për Asociacionin në kushtetuese”, ka thënë Haliti.
Profesori universitar, Ibrahim Gashi, vlerëson se zgjidhja për veriun varet nga suksesi që ka dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Zgjidhja në veri do të ndodh me automatizëm nëse ka një zgjidhje apo sukses në dialog. Nëse palët fillojnë të lëvizin, që për Serbinë nuk jam optimist që do të lëvizë në dialog në përmbushjen e pikave të marrëveshjes së pikave të marrëveshjes”, ka vlerësuar Gashi.
Por, profesori Gashi thotë se zgjidhja për veriun varet edhe nëse zbatohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Tendencat e Serbisë janë që me shndërruar veriun sa cështje po litike sa cështje të sigurisë për të mbajtur njëfarë lloj tensioni atje apo konflikti të ngirë atje dhe normalisht kjo nuk i konvenon Kosovës”, ka shtuar ai.
Veriu i vendit është përballur disa herë me sulme e trazira nga sic janë quajtur bandat kriminale duke kulmuar me sulmit terrorist në Banjkë dhe atë në kanalit e ujit në Zubin Potok./rtv21