Bajrami: Qeveria Kurti nuk po investon, po ngarkon qytetarët me borxhe
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Qeveria Kurti nuk po investon, po ngarkon qytetarët me borxhe

Aktuale January 05, 2025 - 12:40

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj politikave ekonomike të Qeverisë Kurti, duke theksuar se borxhi nuk është marrë nga shteti, por nga qytetarët.

Sipas saj, kreditë në banka në fund të vitit 2024 kanë arritur në shumën 5.6 miliardë euro, një rritje prej 15.7% krahasuar me vitin 2023, duke e përkeqësuar situatën financiare të qytetarëve.

Në një postim të saj në rrjetet sociale, Bajrami shkruan: “Qeveria ka vazhduar me marrë borxhe, nuk kanë marrë vetëm kur s’kanë mundur t’i ketë 80 vota në Kuvend.”

Ajo theksoi se politikat e qeverisë kanë futur qytetarët në borxh.

“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë në banka në fund të dhjetorit 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliardë euro. Vetëm në vitin 2024 janë shtuar 768 milionë euro kredi të reja,” theksoi deputetja.

Bajrami ka shtuar se përkundër faktit që Qeveria Kurti nuk ka investuar në asnjë projekt të madh si autostrada, spitale apo shkolla, qytetarët janë të detyruar të marrin borxhe për të mbijetuar për shkak të rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë, që ka arritur në 21.5% gjatë katër viteve të fundit.

Bajrami gjithashtu kritikoi Qeverinë për mënyrën se si po manipulohet me të dhëna ekonomike.

“Qeveria ka bërë përpjekje të mashtroj me numra katër vite radhazi, por qytetarët e kanë të vërtetën e tyre, ata që e kanë jetuar atë”, ka shkruar deputetja.

Në fund të postimit të saj, deputetja e LDK-së ka cituar Ronald Reagan, duke thënë: “Nuk kemi inflacion sepse njerëzit po jetojnë shumë mirë, kemi inflacion sepse qeveria po jeton shumë mirë”.