Beqa: Qeveria aktuale nuk ka pasur një agjendë të stabilizimit të gjenerimit të energjisë
Reduktimet e energjisë elektrike në disa zona të vendit para dhe gjatë festës, janë pasojë se qeveria Kurti nuk ka pasur një agjendë të stabilizimit të gjenerimit të energjisë, si dhe as të arritjes së objektivave te energjia ripërtritshme, thotë deputeti Hajdar Beqa, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Kosova, sipas tij do duhej të kishte mundësi që të rris gjenerimin. Por, ai konsideron se fatkeqësia qëndron te qeveria, e cila sipas tij nuk i ka mirëmbajt dhe as nuk ka bërë remont.
Beqa thekson se PDK-ja është e para parti që “kur ka marrë qeverisjen e ka stabilizuar gjendjen me energji elektrike”.
“Ne kemi ofruar opsion kur ka fituar Partia Demokratike në zgjedhjet 2007-2008 kur është bërë qeveria Thaçi 1. Ne kemi marrë në atë kohë qeverisjen kur Kosova ishte në terr sa i përket furnizimit me energji elektrike. Dhe pastaj ka pasur një stabilitet enormë derisa kemi pasur 24 me 0 në favor të dritës”.
Sipas tij qeveria Kurti nuk ka pasur një agjendë të stabilizimit të gjenerimit të energjisë, si dhe as të arritjes së objektivave te energjia ripërtritshme.
“Dhe fatkeqësia është që kjo qeveri me aferë që pat bërë me ambasadorin Berisha, me kryeshefin e KEK-ut Krasniqi me kryeministrin aktual Kurti, i cili është i përzier direkt në aferat e energjisë elektrike apo është i përzier në shitblerjen e energjisë elektrike, këta nuk kanë pasur një agjendë përveç shitblerjes, nuk kanë pasur një agjendë të stabilizimit të gjenerimit të energjisë, as të arritjes së objektivave te energjia e ripërtritshme. Sa i përketë Partisë Demokratike dhe kandidati Hamza e ka agjendën konkrete si stabilizohet dhe si rriten kapacitetet. Këta nuk kanë marrë asnjë hap as te remonti i termocentraleve aktuale që janë, e lëre më të kenë me pasur asnjë agjendë për gjenerim të energjisë së re”, tha ai për EO.
Beqa thekson se qeveria Kurti po dështon me furnizimin me energji, për arsye sipas tij që t’i krijoj mundësi shitblerjes së energjisë dhe përftimit individëve të caktuar.
“Ne kemi parë plot hidrocentrale të cilat kanë qenë aktive. Me qeverisjen e këtij (Kurtit) ne jemi pasivizuar me të vetmen situatë mendoj, me të vetmen arsye që t’i krijojnë mundësi shitblerjes së energjisë dhe përftimit individëve të caktuar”, tha ai.
Beqa thotë se sot qytetarët e paguajnë energjinë më së shtrenjti në rajon.
“Ne do ta stabilizojmë gjendjen me energji elektrike dhe nuk do të flasim më për energji elektrike. Qytetarët do të furnizohen korrekt, 24 orë me energji elektrike me Bedri Hamzen dhe do të jetë një çmim i arsyeshëm, nuk do të jetë një çmim i rritur sikur ndodhi dy herë. Ndodhën që të rriten tarifat dhe sot qytetarët paguajnë energjinë më së shtrenjti në rajon”, tha ai.
Beqa tha për EO se PDK-ja ka në projektin e Bedri Hamzës rritje të kapaciteteve të energjisë, të cilat sipas tij përveç që do të jenë të mjaftueshme për t’i shërbyer nevojave të qytetarëve të Kosovës dhe konsumit të mundshëm, do të ketë edhe energji për të shitur.
“Me Bedri Hamzën energjia do të jetë më e lirë . Furnizimi do të jetë 24 orë, dhe jo vetëm për festa, por do të jetë vazhdimësi sepse konsumi është rritur atëherë duhet të ketë mundësi që të rritet gjenerimi. PDK-ja do të bëjë veprime konkrete përveç gjenerimit të kapaciteteve të reja do t’i mirëmban edhe kapacitetet e vjetra. Fatkeqësia është te kjo qeveri që po shkon, e që as nuk i ka mirëmbajt as nuk ka bërë remont , as nuk ka bërë hapa konkret përkundrazi i ka degraduar ata gjenerator që janë atje, të njëjtën kohë nuk ka pasur asnjë ide për gjenerim të ri. Edhe PDK-ja ka në projektin e Bedri Hamzës rritje të kapaciteteve të energjisë të cilat përveç që do të jenë të mjaftueshme për t’i shërbyer nevojave të qytetarëve të Kosovës dhe konsumit të mundshëm do të kemi energji dhe për me shit”, ka thënë Beqa. /eo