Kaja Kallas përgatit terrenin, çfarë e pret pasardhësin e Lajçakut?
Pasardhësi i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në zyrën e tij dhe në terren, do të përballet me trashëgimi të pasur me shumë marrëveshja për shumë tema, më kryesorja Marrëveshja e Ohrit dhe plani i sekuencimit, produkte të planit franko-gjerman.
Kur u mendua se i shumë kritikuari Lajçak, do ta vazhdojë karrierën si ambasador i BE-së në Zvicër, iu vazhdua mandatit deri në janar të viti 2025.
Festat e fundvitit dhe zgjedhjet e kanë dërguar në pushim edhe procesin e dialogut. Dimri i vonshëm ose pranvera e hershme, mund ta sjellin emisarin e ri evropian.
Njohës së procesit të dialogut, mendojnë se sllovaku Lajçak nuk do të mbahet në mend për trashëgimi pozitive, por do të kujtohet për sjellje që e kanë zbehur kredibilitetin e Bashkimit Evropian.
“Në periudha të caktuar në momente të caktuara ka qenë edhe i një-anshëm, ta zëmë para një kohe këtu në Prishtinë deklaroi se Prishtina e ka tërhequr letrën e kryeministres Brnabiq rreth marrëveshjes franko-gjermane, dhe pastaj u pa se ishte gënjeshtër”, ka thënë analisti Melazim Koci.
Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, danezi Peter Sorensen, ish-ambasador i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Pekka Haavisto ish-ministër i jashtëm i Finlandës, janë emrat që janë lakuar nga mediat, por përgjigjen definitive kësaj pyetjet do t’ia japë ish-kryeministrja e Estonisë.
Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, para se të vendoste për pasardhësin e Lajçakut, ishte përkujdesur që gjatë dhjetorit t’i takojë e të njohë për së afërmi qëndrimet e shqetësimet e palëve.
Kallas e kishte dënuar sulmin terrorist në Ibër Lepenc dhe kishte kërkuar të dënohen autorët, e krahas kësaj e kishte bërë me dije se Marrëveshja e Ohrit është harta përmes së cilës do të lëvizë në terren.
Kryeministri Kurti ishte shprehur se Kallas është në kohën dhe vendin e duhur, ndërsa Vuçiqi në vend të komenteve kishte treguar se estonezja i kishte kërkuar masa ndaj Rusisë e zbardhje të sulmit terrorist në Banjskë.
Analisti Koci, vlerëson se ardhja e Kallas është lajm i mirë, në një periudhë fort të vështirë brenda Evropës.
“Jam optimist por them prapë që nuk varet çdo gjë nga ajo, ajo bën sublimin e politikës së 27 vendeve, dhe një gjë e tillë është bërë shumë e vështirë në Bashkimin Evropian, ju e shihni se në BE ka depërtim të forcave të ekstremit të djathtë që anojnë hapur për Rusinë. Dhe në rrethana të tilla të bësh politikë të unifikuar, të unifikosh politikën e BE duket mision i pamundur”, ka thënë analisti Melazim Koci.
Koci vlerëson se marrëveshje franko-gjermane ka dështuar, dhe vështirë është që të zbatohet dhe të mbetet gjallë, përkundër çfarëdo lëvizjeje në emra e pozita udhëheqëse brenda BE-së.
Sipas tij dërgimi i draftit në Kushtetuese nuk çon askund, për çka drejtimin e busullës duhet të presim që ta përcaktojmë në bazë të orientimit që do të zgjedhë administrata Trump. /dukagjini