Veriu më 2024 nën hijen e tensioneve dhe sulmit terrorist në Varragë
Veriu i vendit nuk gjeti qetësi as në 2024. Ai filloi dhe u mbyll me tensione ku e kaluara e trazuar dhe sfidat e se tashmes mbajnë këtë vend nën zhurmën e alarmeve policore.
Sulme, ndjekje e drejtësisë dhe veprime për të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë të Kosovës e bëjnë veriun të jetë kryefjala edhe e 2024-ës.
Sulmi në Ibër – Lepenc
Në mbrëmjen e 29 nëntorit një shpërthim ndodhi në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut duke dëmtuar kështu kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Banorët nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit. Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë ishte rikthyer. Dhe, kanali është riparuar tërësisht.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kishte thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë.
Presidentja Vjosa Osmani këtë shpërthim e kishte quajtur akt terrorist duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës”.
Në anën tjetër, Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pak para mesnate kishte thënë se ky është një sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar ta dëmtojnë infrastrukturën kritike dhe ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike.
Kurti ishte shprehur se sulmi është kryer nga profesionist dhe banda të dirigjuara dhe orekestruara nga Serbia.
Sulmi u dënua edhe nga bashkësia ndërëkombëtare
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin duke thënë se po monitorojnë nga afër situatën. Në hetim është përfshirë edhe FBI.
Jonathan Hargreaves, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, kishte thëne se incidenti serioz në Zubin Potok mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës duke kërkuar hetim të shpejtë për sulmin.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e kishte dënuar fuqishëm sulmin duke bërë thirrje për hetim të plotë për vënin e keqbërësve para drejtësisë duke shtuar se Gjermania është e gatshme t’i mbështesë autoritetet kosovare”,
Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kishte dënuar sulmin duke thënë se tashme BE ka ofruar ndihmën për autoritetet e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar arrestimin e tetë personave si të dyshuar se janë përfshirë në vepra kriminale dhe terroriste pas sulmit në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.
Kontrolle në këtë pjesë nga Policia kishte vazhduar edhe ditëve tjera.
Prokuroria Speciale tha se 10 persona ishin shoqëruar në Polici prej tyre, Deagisha Viqentijeviq dhe D.M., u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt. Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe një i dyshuar.
Bëhej fjalë për Jovan Viqentijeviq, të cili Gjykata në Prishtinë po ashtu i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Në dosja e Prokurorisë e siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi“, për Jovan Viqentijeviq, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se ai bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.
Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues duke shkatërruar apo dëmtuar pajisjet publike” sipas nenit 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga neni 129, paragrafi 1 dhe nenit 128. paragrafi 1,.1 i lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Në shtëpinë e të pandehurit Jovan Viqentijeviq, ishin gjetur arsenal armesh pa lehe, duke filluar nga granata dore, fishekë, thika për pushkë luftarake, karikatorë, e thika të ndryshme.
Jovan Viqentijeviq, sipas Prokurorisë nuk e kishte pranuar se e ka kryer veprën penale, por ka pranuar se pushka automatike e gjetur tek bashkëkryerësi, vëllai i tij Drgisha Viqentijeviq, është e tij, duke mos pranuar armën tjetër përveç fishekëve në shtëpinë e tij në Prevllakë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për shpërthim në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.
Ndjeka e drejtësisë për rasitn e Banjskës
Terri kishte kapluar vendin. Qetësia në mesnatën e së dielës të 24 shtatorit 2023 në një fshat të vogël, jo shumë larg kufirit me Serbinë, nuk zgjati shumë.
Bansjka, u bë cak e pikë strategjie për një grup terrorist të strukturuar, që përbëhej nga 45 persona të udhëhequr nga i shumëkërkuari, Millan Radoiçiq, ish – nënkryetar i Listës Serbe, i cili është edhe pjesë e listës së zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim të ankesimit të këtij territori të Republikës së Kosovës.
Në role të ndryshme e të trajnuar në mënyrë profesionale, të uniformuarit me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara të mbushura me armë të rënda ia mësynë rrugëve malore ilegalisht nga Serbia për në territorin e Republikës së Kosovës. Fillimisht, bllokuan rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.
Lëvizjet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës për të kuptuar se pse është bllokuar rruga dhe për ta liruar atë, iu kushtoi me sulm të terroristëve nga distanca me eksplozivë dhe armë të rënda
Pikërisht, tek ura e fshatit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas njoftimit të Policisë, tre nga sulmuesit u vranë, pasi zyrtarët policorë janë detyruar t’i kundërpërgjigjen sulmeve që po vazhdonin nga grupi kriminal. Ndërsa, tre të tjerë u arrestuan në ditën kritike dhe u dërguan në paraburgim, masë nën të cilën vazhdojnë të jenë ende.
Tentimi me sulm, për shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Republikës së Kosovës vazhdoi deri në orën 15:00, kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.
Dita e hënë (25 shtatori 2023) u shpall ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, të cilit presidentja e vendit ia ndau urdhrin postmortem “Hero i kombit”.
Një ditë pas sulmit, u bë prezantimi i arsenalit të armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike që Policia e Kosovës i konfiskoi në Banjskë të Zveçanit. Armë e pajisje ushtarake, u sekuestruan edhe ditëve në vazhdim në veri, ku u kryen bastisje në disa lokacione.
Kreu i grupit kriminal, Milan Radioiçiq më 29 shtator mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. Ndaj tij, më 7 dhjetor 2023 u bë e ditur se INTERPOL ka lëshuar fletarrest, por se ende vazhdon të jetë në arrati.
Në anën tjetër, më 28 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë që dënon sulmin në Banjskë. Rezolutë që dënon këtë sulm miratoi edhe Parlamenti Evropian më 19 tetor 2023.
E në prill të vitit 2024, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se MD-ja përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ka nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme për vilën e Milan Radoiçiqit dhe pasuritë tjera të paluajtshme në rastin Banjska.
Aktakuza u ngrit më 11 shtator 2024, 13 ditë para përvjetorit të parë të sulmit
Për këto veprime 45 sulmuesve, ju është ngritur aktakuzë afër 1 vit pas sulmit, saktësisht më 11 shtator nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Të akuzuarit sipas aktakuzës ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç‘rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Grupi terrorist ngarkohen me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Ndërsa, dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon edhe të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.
“Përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës”
Në këtë dispozitiv, të gjithë të akuzuarit e lartpërmendur akuzohen se në kohë, vend dhe mënyrë sipas dispozitivit të parë, ku Milan Radoiçiq në cilësi të kreut të grupit të strukturuar me gjithë të akuzuarit tjerë, kishin vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht.
Aktakuza thotë se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe.
Si e përshkruajnë dëshmitarët ditën kritike?
Në aktakuzën prej 158 faqesh, thuhet se dëshmitarët (zyrtarët policorë) që ishin në detyrë në ditën kritike, kishin dëgjuar dy shpërthime e më pas kishin filluar të shtënat që vinin nga Manastiri në drejtim të tyre. Në ato momente, kanë parë rreshterin Bunjaku të shtrirë pasi ishte plagosur dhe zyrtarët policorë kishin filluar t’i kundërpërgjigjen të shtënave.
Bunjakun e kishin larguar nga aty me një veturë, e cila ishte qëlluar disa herë nga sulmuesit.
Një qytetar i Maqedonisë së Veriut, i cili atë ditë ishte në hotelin “Rajska Banja” bashkë me bashkëshorten, djalin e mitur dhe motrën e bashkëshortes e burrin e saj, tha se rreth orës 03:30 në mëngjes kishin dëgjuar të shtëna e shpërthime.
Pasi kishte aguar, ai tha se kishin dëgjuar zhurma e parë njerëz të uniformuar e me armë aty. Ka thënë se nuk ishin lejuar të largoheshin nga hoteli. Sipas tij, kur kishin filluar të shtënat, hoteli ishte mbushur plot njerëz.
Kurse, Rade Nedelkoviq- punëtor në atë hotel, kishte thënë se atë ditë aty kishin shkuar katër persona të armatosur, tre prej të cilëve e bartnin një person të plagosur. E që më pas e kishte telefonuar babai i njërit prej atyre personave, për të pyetur për të, mbiemrin e kishte Sliviq.
E Veljo Iliq ka deklaruar se i biri i tij, Vladan Iliq e kishte telefonuar më 24 shtator, duke i kërkuar të shkojë ta marrë në hotel. Më vonë, ai prapë përmes telefonit e kishte kontaktuar dhe i ka thënë se kishte shkuar në Serbi përmes malit diku rreth 4 orë e gjysmë në këmbë.
Dëshmitari kishte thënë se e dinte që biri i tij është pjesë e “Mbrojtjes Civile”, ku është paguar diku 400 euro.
Në anën tjetër, dëshmitari A2 kishte deklaruar se pranë kufirit me Kosovën, në Rogozna atë ditë kishte parë shumë automjete pa targa, e disa me targa BG. Kishte parë 15 persona të armatosur që kishin mbërritur nga Banjska, të cilët kishin marrë pjesë në sulmin terrorist.
Sulmuesit, sipas tij vinin nga Manastiri e priteshin nga dy vetura. Tha se 25 apo më shumë persona të uniformuar kanë lëvizur nga Kosova në Serbi.
Dëshmitari A2 ka thënë se grupi funksionoi qysh një vit para sulmit e që sulmuesit punojnë në Ushtrinë e Serbisë. Deklaroi se ka dëgjuar që Radoiçiq ka ikur në Rusi.
Dëshmitari F1 ka thënë se Radoiçiq i ka organizuar e armatosur këta persona, të cilët për një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre i ka paguar nga 2 mijë euro në muaj. Tha se “kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova”.
Të arratisurit, F1 tha se janë në Serbi dhe kanë kontakt me Radoiçiqin. Për këtë të fundit, tha se paratë i ka nga krimi, kontrabanda, tenderët e financimi nga Aleksandar Vuçiq.
“Ka menduar që do bëhet një protestë paqësore”
I pandehuri Vladimir Toliq, në Prokurori është mbrojtur në heshtje. Por, në xhaketën e tij është vërejtur prani e nitriteve dhe nitrateve nga mbetjet e qitjes me armë, që sipas PSRK-së tregon se mori pjesë në sulm.
Kurse, Blagoje Spasojeviqi ka thënë se “ka menduar që do bëhet një protestë paqësore”. Por, sipas tij është detyruar t’i bindet urdhrave të Momçillo Vuçkoviq.
Ai ka thënë se kishte qëndruar prapa Manastirit e asnjëherë s’ka shtënë me armë. Aty e kishte arrestuar Policia e Kosovës.
Një ditë më pas, u mbrojt në heshtje. Por, Prokuroria thotë se është vërtetuar kontakti me barutin dhe grimcat e barutit, pra u konstatua se ka pasur kontakt me armën- saktësisht se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.
E Dushan Maksimoviq (punëtor i hotelit Rajska Banja), ka thënë se atë ditë ishin mbledhur tetë shokë në një vikend-shtëpizë për të bërë skarë.
Në telefon, ai kishte video të sulmit ndaj Policisë dhe të monitorimit të Policisë, për këtë të fundit ka thënë se “nuk i kujtohet”.
Prokuroria thotë se komunikimet në telefon e inkriminojnë atë direkt në vepra penale, siç ishin mesazhet e ditës kritike: “Shkruani këtu që të organizohemi”, “Mos e dhashtë Zoti, të ketë përshkallëzim të madh, gratë dhe fëmijët duhet të largohen”.
Kur pretendohet se ishin fillet e organizimit të sulmit?
Sipas Prokurorisë, fillet e organizimit- përgatitjet për sulmin filluan nga takimi mbajtur në Rashkë të Serbisë më 13 tetor 2021, ku ishte kërkuar përkrahje me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale.
Aty mori pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Milan Radoiçiq e Vladimir Radivojeviq me pseudonimin “Mami”, si dhe struktura të larta shtetëtore. Në takim, u kërkua të armatosen e të fillonte rezistenca e armatosur kundër institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.
“I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, se herën tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje”, kishte thënë Radoiçiq në atë takim.
Sulmet ndaj Policisë e KFOR-it më 2022 e 2023, thuhet se po ashtu ishin organizuar nga Radoiçiq. Ky i fundit, me grupin e armatosur rëndë më 10 dhjetor 2022 ishin fotografuar në Mitrovicë të Veriut.
Ekzaminimet e pajisjeve elektronike, treguan ku qëndroi grupi terrorist e ku kreu ushtrimet. Po ashtu, këto pajisje treguan edhe realizimin e planit të sulmit, që nga vendosja e kamionëve si barrikada, transportimin e sulmuesve, qëndrimin e tyre tek bujtina, momentin e sulmit ndaj policisë, e të tjera.
Kush dhe si e financoi Radoiçiqin?
Lidhur me financimin e Radoiçiq, Prokuroria thekson se gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i tij është bërë në mënyra të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, fillimisht përmes tenderëve e më pas me përkrahje politike duke i ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve me qëllim për të kryer sulmin.
Grumbullimi i fondeve, thuhet se u bë duke hapur biznese të ligjshne, me qëllim të fshehjes së prejardhjes apo maskimit të origjinës së parave.
Pronar faktik i bizneseve të hapura në emër të Radule Steviq thuhet se është vetë Radoiçiq. Pra, dy burimet e financimit të tij thuhet se ishin duke keqpërdorur tenderët në Kosovë dhe financimi nga Serbia.
Sipas PSRK-së, tenderët e fituar në Kosovë ishin në vlera më të ulta, pra ka marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, por pas marrjes së tenderit, projekti nuk implementohej fare.
Kurse forma e dytë apo më kryesore ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”. Kontratat fitoheshin në emër të bizneseve të regjistruara me pronar Steviqin.
Nga 2020-2024, thuhet se ka fituar 192 kontrata më vlerë 67.5 milionë euro. Po ashtu, thuhet se janë dhënë kontrata në emër të financimit të projekteve të ndryshme, sikurse për fidane, pajisje për blegtori dhe bujqësi, ndërtim të shtëpive, e të tjera.
Këtë skeme, Radoiçiq përmes të pandehurit Radule Steviq kishte përfituar në emër të qytetarëve serb duke i detyruar pastaj të kryejnë kontabandim me mallra, të bllokojnë rrugët, të rebelohen, ngrenë barrikada, dhe në kundërvlerë financoheshin për nevojat elementare apo për mbijetesë.
Prokuroria thekson se shumica e këtyre kompanive ishin themeluar para sulmit në Banjskë. Fitimet e tyre nga donacionet, kanë rënë në duart e Radoiçiqit, Steviqit, pjesëtarëve tjerë të grupit terrorist e familjarëve të tyre.
Lidhur me tenderët e fituar në Kosovë, thuhet se shihet që kompania nuk ka kapacitet, as fuqi punëtore e makineri që t’i realizojë projektet e fituara me kontratë.
Të hyra milionëshe PSRK thotë se Radooiçiq kishte krijuar edhe përmes të pandehurit tjetër Radule Steviç.
Rojet e vilës së Radoiçiq tek Ujmani, fillimisht me udhëzimin e tij, kishin thënë se pronar është Bojan Jakshiq, e më pas e kishin pranuar se është Radoiçiq ndërsa pagën e marrin në restorantin “Grey”.
Dëshmitarët të cilët ishin angazhuar gjatë ndërtimit të vilës, kishin dëshmuar për materialin e ndërtimit që e kishin dërguar, kush ishte përgjegjës për ndërtimin e vilës, disa përmendën Radoiçiqin e detaje tjera.
Ish-partnerja e Radoiçiq, Ema Rexhepoviq-Radoiçiq, ka thënë se qiranë prej 800 euro për apartamentin ku jeton, e paguan Radoiçiq, me të cilin komunikon rrallë. Ka thënë se ai është baba i mirë, por jo edhe bashkëshort i mirë.
Për vilën tek Ujmani, ajo tha se nuk e di sa ka investuar Radoiçiq. Zyra në restorantin “Grey”, Ema tha se është në emër të nënës së saj, pasi nuk kishte mundur të shkonte ta nënshkruante kontratën.
Gjykimi kundër të akuzuarve për sulmin terrorist në Bansjkë
Më 25 shtator 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare për këtë rast me gjyqtar të çështjes Arben Hoti.
Në sallën e gjykatës, u sollën tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit. Ndërsa, të pranishëm në cilësinë e të dëmtuarve në këtë seancë fillestare u paraqitën polici Alban Rashiti dhe dy policët tjerë, të cilët ditën kritike ishin në vendngjarje.
Procedura penale ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq në rastin “Banjska” u veçua.
Kurse, për Milan Radoiçiqin dhe të akuzuarit tjerë, gjykatësi Arben Hoti tha se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për opinion për të parë nëse për veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Pastaj, për këtë seancë fillestare për shkak se mbrojtja e të akuzuarve kërkoi të ndërprehet seanca fillestare në rastin “Banjska” me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre.
Më pas, Gjykata mori aktvendim dhe ndërpreu shqyrtimin fillestar, me qëllim që të akuzuarit të pajisen me akuzën dhe ta dijnë përmbajtjen e saj, e më pas t’iu jepet e drejta për deklarim rreth fajësisë. Seanca e radhës u caktua për 9 tetor 2024.
Në këtë seancë të rradhës, më 9 tetor të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.
Në anën tjetër, Gjykata Supreme pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatës Themeloren në Prishtinë “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, ka sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Raporti i Progresit për Banjskën
Raporti i Progresit e cilëson sulmin në Banjskë si “përshkallëzimin me të rëndë në vitet e fundit. Por, thuhet se reagimi i Policisë së Kosovës ndaj këtij sulmi “tregoi nivelin e lartë të profesionalizmit të Policisë së Kosovës”.
Sipas raportit, tensionet në veri të Kosovës, kanë vazhduar si pasojë e sulmit të dhunshëm kundë Policisë nga sulmues të armatosur serbë, më 24 shtator 2024.
(Mos) hapja e Urës së Ibrit
“Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti për tentativat e hapjes së Urës së Ibrit, më 7 gusht në rrjetin e tij social Facebook.
Paralajmërimi dhe tentimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve në fillim të vitit 2024, u bë temë e nxehtë përgjatë gjithë vitit.
Qeveria e Kosovës ndërmori hapa e filloi procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës, teksa bashkësia ndërkombëtare ka bërë të ditur në vazhdimësi se nuk e mbështesin ndryshimin e statusit aktual të urës. Ata kanë bërë të ditur se Ura e Ibrit mund të hapet vetëm me marrëveshje dypalëshe në Bruksel, pasi sipas tyre ky veprim mund të çojë në incidente të sigurisë dhe mund të komplikojë edhe më tej procesin e normalizimit. Ndërkohë, ky diskutim i vazhdueshëm trazoi ujërat tek qytetarët serbë të Kosovës, të cilët mbajtën protesta duke kundërshtuar një veprim të tillë.
Po ashtu, reagim pati bërë edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duke bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Për këtë çështje u deklarua edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila pati thënë se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke shtuar se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Rajonin e Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, organizuan një takim për bashkëbisedim me qytetarët për hapjen e urës mbi lumin Ibër, por në takimin e thirrur ka qenë numër relativisht i vogël i pjesëmarrësve.
Në anën tjetër, në këtë urë gjatë verës së vitit 2024 u bënë punime të ndryshme, ku hapësira nën të u pastrua e muret e mbuluara me grafitë e me mbishkrime u lyen me ngjyrë. Madje, në të u bënë edhe testimet për stabilitetin e urës, ku u vendosën katër kamionë të mëdhenj. Lëvizja e tyre mbi urën e mbyllur për qarkullim të automjeteve është përdorur për të testuar qëndrueshmërinë e saj.
Si përfundim, gjatë vitit 2024 Ura e Ibrit nuk u hap. Autoritetet e Kosovës shprehen të gatshëm për hapjen e saj, porse presin dritën e gjelbër nga partnerët e saj.
Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.
Heqja e dinarit serb nga përdorimi
Banka Qendrore e Kosovës në janar 2024 miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme e cila thotë se valuta e vetme që lejohet në Republikën e Kosovës për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme është euro.
Valutat joeuro, sipas rregullores e cila hyri në zbatim nga 1 shkurti 2024, mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare.
Valutat mund të përdoren edhe si këmbim por vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK.
Dinarët nga Serbia kishin hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq dhe pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.
Dinarët në Kosovë i kishte përdorur Kursimorja e Postës e Serbisë, Banka Komerciale NLB dhe ndërmarrja publike Posta e Serbisë.
Shumë nga qytetarët serbë nuk kishin llogari në bankat komercilae në Kosovë, për çka ishin ankuar se nuk kanë si t’i marrin pensionet.
Partneret ndërkombëtar, kishin reaguar duke kërkuar që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, duke thënë se ky vendim mund të çojnë në tensione të reja në Kosovë.
Protestat në veri për dinarin
Më 12 shkurt 2024, në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të BQK-së. Protesta, që u përkrah nga sindikata e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Policia e Kosovës, bëri të ditur se në këtë protestë ishin rreth 1 mijë e 800 persona dhe se e njëjta ka kaluar e qetë, pa ndonjë incident.
Megjithatë, në fillim të muajit gusht policia e Kosovës mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë që vepronin pa licencë në veri të vendit.
Mbyllja e institucioneve paralele në veri të Kosovës
Në 2024 në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës ka mbyllur disa institucione paralele e ka konfiksuar gjësende të ndryshme. Këto institucione, që veprojnë sipas sistemit të Serbisë konsiderohen të paligjshme, prandaj edhe mbyllja e tyre ka nisur që nga fillimi i vitit.
Në maj të vitit 2024, Policia e Kosovës ka mbyllur gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta.
Nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni, janë mbyllur në gusht të vitit 2024, nga Policia e Kosovës. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Komunat paralele, të cilat nuk mund të operojnë, pasi që janë mbyllur janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit. Po ashtu, komunat e tjera paralele të cilat u mbyllën janë në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash
Po ashtu, janë mbyllur edhe organet e përkohshme komunale si Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç.
Së fundmi, më 27 dhjetor 2024 një institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë – Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut, u mbyll nga Policia e Kosovës. Dokumentet që u gjetën në objektin e këtij institucioni paralel u konfiskuan dhe disa persona u intervistuan.
Një ditë më parë, pra më 26 dhjetor, u mbyllën dy ndërmarrje publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut: Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore.
Ndërsa, përgjatë vitit janë mbyllur edhe disa kompani komunale.
Për këto veprime, që Qeveria e Kosovës ka thënë se janë ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, është kritikuar në vazhdimësi nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët në vazhdimësi bënë thirrje që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në Bruksel. Sipas tyre, “veprimet e pakoordinuara” vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës, ushtarët e KFOR-it si dhe përshkallëzojnë situatën rajonale.
Ndërsa, Serbia ka refuzuar mbylljen e institucioneve dhe konsideruan veprimet e mbylljes së institucioneve paralele si “veprime me pasoja afatgjate në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”. Po ashtu, sipas tyre me mbylljen e këtyre institucioneve dëshirohet shuarja e serbëve në veri të Kosovës.
Hapja e bizneseve shqiptare në veri
Në dy vjet e fundit, tensionet në veri të vendit kanë qenë të larta. Një ndër to është Mitrovica e Veriut, e banuar më shumicë serbe. Qeveria Kurti ka bërë disa përpjekje për të shtrirë autoritet në këtë pjesë. Një ndër to është hapja e bizneseve shqiptare.
Gjatë 2024, disa biznese serbe u zëvendësuan me ato shqiptare. Një kafene në afërsi të Urës se Ibrit e cila për mbi 28 vjet ishte në pronësi të ndërmarrjes “Luks”, ndërsa tashme ka kaluar në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Edhe lokalet tjera ku u hapen bizneset e reja, ishin përdorur nga serbët lokalë. Ndërsa, Agjencia Kosovare e Privatizimit këto objekte i ka nën kontrollin e saj për të cilat ka shpallur tenderë dhe këto objekte janë shitur apo lëshuar me qira.
Situata në Veri të vendit edhe gjatë 2024 ishte e brishtë, Policia kishte aksione të shpeshta, ku u konfiskuan arsenal armesh, pa kënaqësi, shpërthime të vazhdueshme deri të sulmi në Iber Lepenc, i cili u konsiderua si akt terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.