Kryetarja e OIK: Ka rënë numri i infermierëve që kërkojnë vërtetim për largim jashtë shtetit

Kryetarja e OIK: Ka rënë numri i infermierëve që kërkojnë vërtetim për largim jashtë shtetit

Aktuale January 04, 2025 - 11:07

Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ka thënë se ka rënë numri i infermierëve që kërkojnë licenca të paplastifikuara dhe vërtetim të Kodit Etik që u shërben për largim jashtë vendit.

Gori ka thënë se gjatë vitit 2024, 383 infermierë kanë kërkuar licencë të paplastifikuar, ndërsa 119 të tjerë kanë kërkuar vërtetim të Kodit Etik. Kjo rënie sipas saj ka të bëjë me liberalizimin e vizave, pasi infermierët po i përfundojnë drejtpërdrejt procedurat me punëdhënësin.

“Kërkesat prej liberalizimit të vizave tashmë ka rënie. Sigurisht që tash nuk po ju nevojitet për të bërë terminë në ambasada apo edhe përmes agjencive, tashmë profesionistët shëndetësor kanë mundësi për ta bërë drejtpërdrejtë me punëdhënësin, kështu që këtë vit licenca të paplastifikuara kanë kërkuar gjithsej 383 infermierë, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor, kurse Kodin Etik kanë kërkuar 119 infermierë. Vlen të theksohet se krahasuar me vitin e kaluar, numri është dukshëm më i vogël, arsyet janë siç i ceka sepse tashmë nuk kanë nevojë me i prit terminët. Çka unë konsideroj është se numri është shumë i madh se sa ky që e kemi ne tashmë të protokolluar”, ka thënë Gori, teksa shton se numri i infermierëve të larguar nuk është i saktë.

“Po tashmë infermierët shkojnë i bëjnë kontaktet, i bëjnë marrëveshjen me punëdhënësin e kthehen dhe e mësojnë e më pastaj kur ta fillojnë punën iu nevojitet licenca e paplastifikuar dhe vërtetimi i kodit etik, sigurisht që kjo merr kohë”, ka deklaruar Gori për EO.