Ambasadori Rohde: Vendnumërimi nuk është opsioni i duhur për Kosovën
Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jörn Rohde ka komentuar zhvillimet kryesore që kanë karakterizuar vitin 2024.
Në një intervistë ambasadori Jörn Rohde, ka folur për sigurinë në vend, për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme të Bashkimit Evropian, për zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes së Brukselit, për raportet e tij me kryeministrin Albin Kurtin dhe për jetën në përgjithësi në Kosovë.
Ai ka thënë se viti 2024 kishte filluar me lajme të mirë, pra liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa ka potencuar edhe ngecjet në dialogun me Serbinë.
Gjithashtu, ai ka folur edhe për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.
Ndërsa raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës, Rohde ka thënë se janë “janë jashtëzakonisht të forta”.
Në vijim intervista e plotë me ambasadorin Rohde:
Si ka qenë viti 2024 për ju si ambasador i Gjermanisë në Republikën e Kosovës?
Jörn Rohde: Unë mendoj që viti ka qenë, për mua si profesionalisht ashtu edhe privatisht, një vit shumë i pasur me ngjarje të ndryshme. Ka filluar pikë së pari me një lajm shume të mirë, me liberalizimin e vizave për kosovarët, që do të thotë si gjermanët ashtu edhe kosovarët kanë mundur të udhëtojnë gjithkund pa viza, pra kanë pasur lirinë e plotë të lëvizjes nëpër Evropë dhe këtë e kam parë edhe të premten e kaluar kur familja ime erdhi këtu në Kosovë, dhe unë i përcolla ata kur u kthyen në Gjermani. Në aeroport e kam takuar edhe kryeministrin e Kosovës i cili po përshëndeste pasagjerin e katër milionët, pra liria e lëvizjes ka qenë një gjë e jashtëzakonshme dhe ka qenë një rezultat shumë i mirëpritur.
Kur e përmendi familjen, ambasador, ju keni vendosur që festat ti prisni këtu, si është energjia në Prishtinë, si është të festosh këtu?
Jörn Rohde: Për mua ka qenë kësaj radhe shumë mirë që të festoj në Kosovë, shumë më mirë në fakt sesa në Gjermani sepse kemi pasur Krishtlindje të Bardha. Siç e thashë familje ime ka qenë këtu. Nga Gjermania kanë ardhur të katër fëmijë e mi dhe bashkëshortja ime, mbesa dhe dhëndri dhe më 24 dhjetor kishte borë këtu në Prishtinë dhe ne kemi pasur mundësinë që të bëjmë edhe dordoleca, gjë që në Gjermani prej vitesh kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të ndryshimeve klimatike….për mua Krishtlindjet e bardha kanë qenë diçka që i kam pritur që prej kur kam qenë fëmijë.
Raportet në mes Kosovës dhe Gjermanisë, si kanë qenë dhe si janë?
Jörn Rohde: Marrëdhëniet në mes të Gjermanisë dhe Kosovës janë jashtëzakonisht të forta. Ne kemi ndërkohë rreth 600 mijë banorë me origjinë nga Kosova, që njëkohësisht janë edhe shtetas gjerman të cilët jetojnë atje. Kjo tani shihet edhe në Aeroportin e Prishtinës, kur gjatë kohës së festave kosovarët kthehen në Kosovë për të vizituar familjet e tyre. Edhe më tej ka një shkëmbim njerëzor, ka edhe migrim të kosovarëve drejt Gjermanisë. Secilin vit, nga ajo që kemi vërejtur ne, ka pasur 15–20 mijë kosovarë të cilët kanë shkuar drejt Gjermanisë. Pra, lidhjet nuk po dobësohen por po bëhen përkundrazi më të forta. Mirëpo, ajo që ne duam është që njerëzit të shohin edhe vet perspektivë për të ardhmen këtu në Kosovë dhe pikërisht për këtë edhe po punojmë në këtë drejtim. Unë ka katër vjet tashmë që jetoj në Kosovë dhe nga ajo që kam parë deri më tani mund të them se për të arritur këtë qëllim, të rëndësishme janë tri gjëra: së pari njerëzit të kenë një sigurim shëndetësor, të kenë një arsim më të mirë dhe të kenë edhe ajër më të pastër….një gjë që sipas meje duhet të përmirësohet shumë shumë shpejt është ajri…pra këta tre faktorë janë të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë për njerëzit.
Kërkesa bazike këto të njerëzve që jetojnë në Kosovës! Megjithatë kryetema vazhdojnë të mbesin dialogu me Serbinë, veriu, siguria në përgjithësi. Le të fillojmë më dialogun, a shihni mundësi që të përfundoj më shpejt ky proces, le ta quajmë i stërzgjatur?
Jörn Rohde: Në radhë të parë dua të theksoj për sa i përket dialogut që Gjermania është një partnere dhe mike e Kosovës, dhe do të jetë edhe më tej dhe sa i përket çështjes së sigurisë ne i kemi ofruar edhe siguri më të madhe duke katërfishuar numrin e trupave gjermane në kuadër të KFOR-it. KFOR-i edhe më tej është garantues i sigurisë dhe paqes këtu në Kosovë, dhe derisa të jetë KFOR-i në Kosovë për ne është e qartë që paqja dhe siguria janë të garantuara.
Përkitazi me dialogun, këtu bëjnë pjesë dy palë, Serbia dhe Kosova dhe që të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë për të implementuar ato për të cilat janë pajtuar deri më tani. Aktualisht që të dyja palëve u mungon ky vullnet i mirë, për shembull Serbia ka premtuar që të mos e pengoj Kosovën në anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në arritjen e njohjeve dhe e ka shkelur këtë premtim, ndërsa Kosova ka një kohë shumë të gjatë, pra prej vitit 2013 që nuk ka bërë asnjë hap drejt përmbushjes së një obligimi të cilin e ka marr drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për ta bërë këtë ka pasur edhe një propozim evropian i cili duhet të zbatohet dhe këtë e ka thënë se fundmi edhe Këshilli Evropian në propozimet e nxjerra ne dhjetor të këtij viti [2024]…dhe hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është dërgimi i statutit në Gjykatën Kushtetuese.
Është përmendur, duke filluar nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani, që Kosova të zbatoj njëanshëm marrëveshjen. A përkrahet ky version nga Gjermania?
Jörn Rohde: Unë mendoj që asnjëherë nuk është gabim që të bëhen gjëra të mira të cilat i japin një dinamikë të caktuar një procesi. Këtu dua të theksoj që p.sh. Kosova ka pasur 8 vite kohë për të zbatuar një obligim të cilin e ka marr përsipër sa i përket tokave të Manastirit të Deçanit. Pastaj, janë bërë tashmë më shumë se 8 vite që kur Kosova ka marr përsipër themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të bërë një hap të tillë në drejtim që kjo të arrihet. Unë mendoj që duhen gjëra të mira për një dinamikë të një procesi të caktuar, nëse njëra palë e bënë hapin e parë, ajo e parashtron si kusht që pala tjetër të vihet në veprim. Por këtu mungon ende vullneti i mirë nga të dyja palët.
Vendnumërimi nuk është opcion. Gjermania dhe Evropa e do Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian, për ne është me rëndësi që Kosova të bëhet edhe anëtare e NATO-s dhe të bëhet edhe anëtare e Këshillit të Evropës, por për këtë edhe Kosova duhet të bëjë hapa. Që këta hapa mund të jenë edhe të njëanshëm, kjo nuk duhet patjetër të jetë gjë e keqe. Më duhet ta përmend një shembull të asaj që thashë deri më tani.
Kryeministri i Kosovës para disa javësh njoftoi që ka ndërmarr një hap të njëanshëm kur bëhet fjalë për implementimin e një procesi, përkitazi me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bosnjës, pra ka njoftuar që nga një janari qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm nga Bosnja në Kosovës, edhe pse që të njëjtën nuk mund ta bëjnë qytetarët e Kosovës, për shkak të kundërshtimit të Dodikut atje. Megjithatë, kjo ka qenë një lëvizje e mirë, sepse me këtë kryeministri ka treguar kush i bënë gjërat në të mirë të qytetarëve.
Më fjale të tjera rekomandoni që të njëjtën ta bëj edhe me Serbinë. Me çka duhet të filloj Kosova, me Asociacionin?
Jörn Rohde: Kjo mendoj nuk është një pyetje të cilës mund ti përgjigjemi me po ose jo. Ajo çfarë thashë më herët, faktikisht ajo që e ka konstatuar Komisioni Evropian pak para Krishtlindjeve kur i ka propozuar Kosovës që të dërgoj draftin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, pra jo të nisë themelimin menjëherë por të dërgoj draftin për shqyrtim, që do të thotë që një institucion i Kosovës, një institucion vendor do të vendos nëse drafti për themelimin e Asociacionit është apo jo në përputhje me Kushtetutën e vendin. Pra, kjo është dinamika për të cilën po flas, e cila do të nxiste më pas edhe palën tjetër për të bërë një hap nga ana e tij, dhe unë mendoj që nëse kjo do të ndodhte, Kosova do të arrinte anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës në gjysmëvjetorin e vitit të ardhshëm. Pra, çfarë do të thoshte kjo për Kosovën, ndër të tjera do të thoshte që Kosova të kishte të drejtën që të padisë vendet e tjera për sa i përket të drejtave të qytetarëve të saj, për shembull për çështjen e pensionit, apo do të mund të shfrytëzonte edhe beneficione të tjera që do të vinin me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës…pra kjo është ajo dinamika që nxit hapa nga pala tjetër…këtë e propozon Bashkimi Evropian dhe këtë e ka propozuar Komisioni Evropian.
Çfarë garancish ka Kosova që do të ketë këto përfitime, nëse vepron kështu, e bëj pyetjen për faktin që Kosova tha se i ka plotësuar të gjitha kriteret për Këshill të Evropës, por megjithatë nuk është pranuar, asociacioni ishte kusht. Si të sigurohet Kosova që vërtetë do t’i ketë këto përfitime nëse i ndërmerr këta hapa?
Jörn Rohde: Unë dua të kujtoj në këtë rast një letër të cilin ia kanë drejtuar, kancelari i Gjermanisë Olaf Sholz, Presidenti i Francës z.Macron dhe Kryeministrja e Italisë Meloni – Qeverisë së Kosovës apo kryeministrit të Kosovës, në të cilën ata kanë theksuar që të trija këto vende, duan të shohin Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, dhe për ta bërë këtë, ata presin zhvillime nga ana e Kosovës, pra presin që Kosova të ndërmerr hapa në drejtim të realizimit të kësaj çështje të cilën e përmendëm. Pra, topi është dukshëm në fushën e Kosovës dhe mendoj që përderisa Kosova nuk ndërmerr hapa në këtë drejtim, unë nuk shoh mundësi për të ecur përpara dhe ne i përmbahemi fjalëve që themi, për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Çka ka mësuar Kosova, nëse ka mësuar diçka, nga sulmi i fundit në kanalin e Ibër Lepencit?
Jörn Rohde: Ajo çfarë kemi mësuar pikë së pari është që ky ka qenë një sulm i tmerrshëm për të cilin nuk duhet të jetë e vështirë që të dënohet dhe këtë e kemi bërë dhe ne mendoj, Bashkësia Ndërkombëtare. Ne po ashtu i kemi siguruar Kosovës që do ta mbështesim atë në sqarimin e këtij sulmi, deri më tani nuk ka pasur indikacione të faktuara se kush qëndron prapa këtij sulmi…me rëndësi është që institucionet e Kosovës kanë reaguar shpejt dhe janë vendosur për të ruajtur sigurinë. Për shkak të këtij sulmi, mendoj që këtu ka nevojë edhe më tej për një zgjidhje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse ne nuk e shohim dhunën si zgjidhje, për ne nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut dhe akuzat reciproke të njërës apo palës tjetër për ne nuk janë zgjidhje…duhet të ketë një marrëveshje, duhet të ketë një komunikim në mes të të dyja palëve për një zgjidhje të qëndrueshme dhe se cila është zgjidhja e qëndrueshme këtu mund vetëm ta rikujtoj deklaratën e kancelarit të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2022, kur tha që për të dyja vendet, një anëtarësim në BE do të jetë i imagjinueshëm, vetëm nëse ato e njohin njëra tjetrën, pra vetëm nëpërmjet këtij hapi mund të llogarisin që do të bëhen anëtare të BE-së dhe para së gjithash kjo vlen për fqinjin verior, Serbinë.
Fakti që ju ambasador keni vendosur të qëndroni këtu për festat e fundvitit bashkë me familjen tuaj, është indikator që ndjeheni të sigurt. Ndërkohë, kryeministri para disa javësh paralajmëroi për sulme të mundshme para ose pas festave. Si e shihni këtë deklaratë të Albin Kurtit?
Jörn Rohde: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dëshiroj të theksoj atë që e thatë ju në fillim. Po në Kosovë ndjehem shumë i sigurt. Katër milion pasagjer në aeroportin e Prishtinës janë ata që e tregojnë pikërisht këtë, dhe unë do të përpiqem nga ana ime që ta prezantojmë Kosovën si një vend turistik. Këtë e kemi treguar edhe në të kaluarën me iniciativat apo projektet tona si “Hajking me ambasadorin” kur jemi ngjitur në malet e Kosovës. Kemi qenë në Gjeravicë kemi qenë në majën e Kobilicës, kemi qenë edhe në vende të tjera në Kosovë dhe gjatë gjithë kohës jemi përpjekur që ta themi këtë që po, Kosova është një vend i sigurt. Këtë e kemi bërë edhe në të kaluarën dhe dëshirojmë që njerëzit ta shohin Kosovën si një vend të tillë, si një vend ku mund të udhëtojnë për qejf…Njësoj kemi vepruar edhe nëpërmjet Dokufestit i cili mbahet secilin vit në Prizren. Ajo çfarë duam të themi ne është që Kosova nuk është zonë lufte, Kosova ka nevojë për një zgjidhje politike me fqinjët e saj…po, gjendja në veri është fragjile dhe në të duhet të punohet për ta përmirësuar, dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë, në mënyrë që ta ndryshojmë atë. Këtë duhet ta bëjmë për shkak se njerëzve këtu u duhet një siguri dhe ata duhet ta shohin një të ardhme të sigurt në Kosovë. Bashkimi Evropian bashkë me Gjermaninë, si miq dhe si partner të Kosovës, punojmë çdo ditë dhe ne duam ta shohim që Kosova po bëhet një zonë e stabilitetit, një zonë ku mund të udhëtohet për të bërë edhe pushime. Ne e shohim Kosovën që në të ardhmen mund të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian, por për të ndodhur kjo është e nevojshme që Kosova dhe fqinjët e saj të kontribuojnë të gjithë në siguri.
A mendoni z.ambsador që ka ardhur koha që pesë shtet mos-njohëse brenda BE-së, ta njohin shtetin e Kosovës?
Jörn Rohde: Kjo pyetje mendoj që duhet tu parashtrohet pesë vendeve mosnjohëse. Hapat që duhet të ndërmerren, siç e kemi thënë disa herë, janë që të gjithë duhet të kontribuojnë në një shtensionim të situatës fillimisht. Mendojmë që këshillat që i jepen Kosovës duhet të dëgjohen, ne tani jemi në prag të zgjedhjeve, jemi në prag të një procesi të certifikimit edhe të subjekteve politike serbe për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe besoj që edhe Gjermania ka thënë disa herë që masat e ndërmarra ndaj Kosovës duhet të hiqen, dhe këtu Kosova duhet t’ju tregoj edhe këtyre pesë vendeve mosnjohëse se çfarë ka bërë ajo në këtë drejtim apo çfarë ka ndërmend të bëjë. E përsëris edhe njëherë se, gjendja vendnumëro nuk sjell progres, dhe pikërisht progresi është i nevojshëm që Kosova të mund të ecë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Dhe nëqoftëse nuk behet asgjë, nuk ndodhë asgjë në këtë drejtim. Aplikimi i Kosovës për tu bërë anëtare e BE do të mbetej i ngrirë në sirtar, prandaj kemi nevojë për progres, këtë e ka konstatuar dhe propozuar komisioni i Bashkimit Evropian në raportet e të gjitha vendeve veç e veç.
Kosova dhe Gjermania kanë një të përbashkët për vitin 2025, të dyja shtetet kanë zgjedhje, a mund të ketë ndonjë ndryshim të raporteve pas zgjedhjeve?
Jörn Rohde: E kam thënë edhe më parë që zgjedhjet janë festa e demokracisë dhe mendoj që Kosova dhe Gjermania janë në një gjendje fatlume që mund të zgjedhin qeveritë e tyre përmes zgjedhjeve, dhe këtë fat nuk e kanë të gjitha vendet e botës. Marrëdhëniet tona me Kosovën, dhe këtu mund të flas vetëm për Gjermaninë, nuk do të ndryshojnë pavarësisht nëse do të ketë ndryshim të qeverive apo jo, kjo për faktin se ne parametrat tanë, për sa i përket orientimit evropian i kemi të përcaktuar edhe sa i përket Kosovës dhe këtu nuk do të ketë ndryshime. Marrëdhëniet tona janë të ngushta në të gjitha fushat…unë mendoj që edhe për shkak të diasporës së madhe e cila jeton në Gjermani, dhe ky është një fakt që siguron që këto marrëdhënie do të jenë edhe më të thelluara në të ardhmen. Gjermania është dhe mbetet një partner i Kosovës që angazhohet si në rrafshin e bashkëpunimit zhvillimor si në rrafshin infrastrukturor dhe atë të sigurisë. Në këtë fushën e fundit e theksoj edhe njëherë që ka ushtarë të 28 vendeve të ndryshme të NATO-s të cilët janë të vendosur në Kosovë dhe garantojnë paqen dhe sigurinë këtu. KFOR-i ka garantuar pikërisht këtë që prej përfundimit të luftës dhe Gjermania ka dhënë kontribut të dukshëm dhe kjo do të vazhdoj edhe më tej.
Si ka mundësi që shumë kosovarë duan të shkojnë në Gjermani për të punuar e jetuar, ndërkohë ju vini në Kosovë?
Jörn Rohde: Kosovës, unë e thashë që ne dëshirojmë që e gjithë Evropa të bëhet një zonë e paqes dhe e sigurisë, dhe për këtë po punojmë në vazhdimësi me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka një shprehje në gjuhën gjermane që thotë “nga asgjëja, nuk vjen asgjë”. Pra, vetëm në qoftë se angazhohesh, në qoftë se punon mund të dal diçka e mirë, dhe kjo vlen si për Qeverinë ashtu edhe për personat tjerë. Unë jam i angazhuar në fushën e diplomacisë dhe e di që në këtë fushë ka shumë sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi dhe e di nga ana tjetër që nuk i kemi gjetur të gjitha zgjidhjet në këtë fushë…ne duhet të mbetemi edhe më tej të angazhuar dhe të punojmë çdo ditë që ajo të bëhet. Kjo vlen posaçërisht sa i përket dialogut, këtu duhet të gjendet një zgjidhje në mes të të dyja vendeve, dhe ne i ndihmojmë vendet që ato të mund të gjejnë ndonjë zgjidhje, mirëpo protagonist janë vet ato. Kosova dhe Serbia, siç e theksova disa herë gjatë këtij emisioni duhet të tregojnë vullnet të mirë për të gjetur një zgjidhje finale dhe të qëndrueshme.
Cilat janë pesë vendet që ju kanë pëlqyer më së shumti në Kosovë?
Jörn Rohde: Jam shumë shpesh në Prizren. Kam shumë dëshirë të dal në natyrë…më pëlqejnë shumë edhe bjeshkët e Dukagjinit, ku ka edhe shumë monumente fetare, mes tyre edhe Manastiri i Deçanit, më pëlqen jashtëzakonisht shumë edhe gryka e Rugovës…rrafshi i Dukagjinit në përgjithësi, në anën tjetër më pëlqen shumë kuzhina kosovare, kështu që do të duhet të përmendja shumë vende …..
Çfarë raportesh keni me kryeministrin Albin Kurti, përtej punës. A takoheni ndonjëherë për një lojë tenisi, golfi…ose për një kafe apo drekë?
Jörn Rohde: Asnjërën nga sportet që i përmendet ju unë nuk i praktikoj. Unë luaj futboll dhe mund të them që, po, takohemi me kryeministrin edhe jashtë punës. Që të dy ndajmë një afinitet për të pirë së bashku një gotë të mirë birre, dhe meqë unë jam futbollist i pasionuar, takohemi edhe gjatë ndeshjeve ku ka luajtur edhe Kosova, kombëtaren e së cilës momentalisht e udhëheqë një trajner gjerman. Unë shpresoj shumë dhe i dëshiroj që Kosova të mund të kualifikohet për të luajtur edhe në ligën e ardhshme që do të vendoset në mars të këtij viti.