Haradinaj: Kosova duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës së krijuar ditë më parë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ku për shkak të mjegullës ishin anuluar disa fluturime.
Haradinaj për ta shmangur këtë situatë ka thënë se vendi duhet të ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, transmeton Zeri.info.
“Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë - që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës - të aterojnë në Beograd dhe Shkup”, ka thënë ai.
Haradinaj ka përmendur Aeroportin e Gjakovës si një prej opsioneve për të kaluar këto situata.
“Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror. Kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin”.
“Angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese”, shkroi Haradinaj. /Zëri