FSK-ja përballë sukseseve, sfidave e angazhimeve gjatë vitit 2024
Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdoi të fuqizohej edhe gjatë 2024-s. Ushtria u furnizua me armatime, makineri ushtarake e municion. Teksa, prapa këtyre armatimeve, kokë-lartë qëndruan djem e vajza që u bënë shembull para shteteve më të fuqishme. Sukseset e tyre nuk patën të ndalur.
Stemat e shtetësisë së Republikës, në uniforma i mbajtën e i përfaqësuan denjësisht. E shtetësia e Kosovës e cila u ndërtua mbi themele të forta, u ruajt me krenari nga gardianët e sigurisë. Ushtria u forcua. Buxheti për mbrojte e siguri u rrit në rreth 370 milionë euro gjatë 2024-tës. Forcave ushtarake iu shtuan makineri të dizajnuara për operacione logjistike dhe taktike. Depot e armatimit u furnizuan me armë moderne e municione të këmbësorisë. Ndërsa, kongresi amerikan ia aprovoi vendit blerjen e 246 raketave “Javelin”, pjesë e sistemeve raketore që godasin caqe me drejtim automatik deri në katër kilometra.
Zhvillime të rëndësishme në fuqizimin e ushtrisë përcollën pothuajse gjithë vitin 2024-të. Në fillimvit Forcat e Sigurisë së Kosovës u nisën për në Mbretërinë e Bashkuar. Kontingjenti i ushtarëve mori pjesë në Operacionin INTERFLEX, që realizohej në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës. Ndërsa, në Kampin Dutch të shtetit IAOËA-së trupat e FSK garuan për ushtarin më të mirë për herë të parë në 7 vjet.
Nga atje, djemtë e vajzat e Kosovës dhanë shembujt më të mirë se si duhet të mbrohet sovraniteti i vendit. Qasja profesionale, demonstrimi i aftësive të larta ushtarake, e disiplina e ushtarakëve u ra në sy shteteve më të fuqishme në botë. Kontingjente të FSK-së ishin pjesëmarrëse në trajnime të ndryshme që u realizuan brenda dhe jashtë vendit. Kjo edhe përforcoi imazhin e vendit, si dhe përçoi mesazhin se Kosova po angazhohet për paqe e stabilitet ndërkombëtarë.
Hapat e këtyre ushtarëve u bënë frymëzim për shumë të rinj e të reja, të cilët ëndërr kishin të vishnin uniformat ushtarake të republikës. E ëndrra e shumë prej tyre nisi të jetësohej gjatë 2024-tës. 2024-ta vijoi edhe me zhvillime tjera të rëndësishme për ushtrinë e Kosovës. Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit mobilizoi ekzekutivin kosovar që patrullat ushtarake t’i shtrijë përgjatë kanalit të ujit në regjionet e Obiliqit dhe Vushtrrisë.
Forcat e Sigurisë u vënë në mbrojtje të pikave kyçe të infrastrukturës kritike të Kosovës. Gardianët e sigurisë u mobilizuan për të mbrojtur sovranitetin nga çdo rrezik dhe çdo forcë armiqësore.Në përgjigje të përmbushjes së misionit të saj, Forca e Sigurisë gjatë gjithë vitit mori pjesë në aksione të ndryshme, përfshirë këtu edhe në shuarjen e zjarrit në Parkun Nacional të Prevallës. Kapacitetet operacionale të njësive të FSK-së u ngritën edhe me validimin me sukses të regjimentit të dytë të këmbësorisë në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”.
Ndërsa, disiplina e përkushtimi i ushtarakëve u vlerësua lartë. Përkundër që ushtria u fuqizua, ëndrra e ushtarakëve për anëtarësim në NATO, nuk arriti të jetësohej. Pengesë për vendin vazhdojnë të jenë shtetet mosnjohëse të pavarësisë, ndonëse presioni është shtuar.
Në fokus këtë vit ishte edhe çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së. Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari i kishte dërguar një letër Ministrisë së Mbrojtjes, ku kishte ngritur shqetësime se aktivitetet e kësaj force mund të ndërpriten për shkak të mosfurnizimit me ushqim. Madje për këtë, presidentja Vjosa Osmani kishte kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, dhe kishte ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Megjithëse, nga Ministria e Mbrojtjes thanë se kanë ndërmarrë veprime dhe se shujtat ushqimore janë duke u shërbyer.
E viti 2024 u përmbyll me një lajm të mirë për ushtrinë. Kosova për herë të parë nisi procedurat për hapjen e fabrikës së municionit si dhe një laboratori për projektimin e mjeteve ajrore pa pilot. Kontrata iu besua një kompanie turke, e cila do të punojë në vënien në funksion të fabrikës e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
E njëjta do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore. Ndërsa, fuqizimi i mbrojtjes do të vazhdojë edhe në vitin 2025. Buxheti i paraparë për këtë fushë do të kap vlerën e mbi 207 milionë eurove.
Forca e Kosovës tashmë gjendet në vitin e 6 të tranzicionit gjithëpërfshirës të saj në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat për anëtarësim në NATO. /rtk