Izmaku: Qytetarët e Vushtrrisë po përballen me mungesë energjie për më shumë se 7 orë
Kandidatja për deputete nga Nisma, Xhevahire Izmaku e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit kandidon me numrin 9 në listën zgjedhore AAK-Nisma-E90-Ideal… ka reaguar për ndërprerjen 7 orëshe në qytetin e Vushtrrisë.
Izmaku ka thënë se gjysma e Vushtrrisë që nga mëngjesi, është lënë pa energji elektrike, “duke krijuar një gjendje të rënduar për familjet dhe bizneset”.
“Reagim për ndërprerjen 7-orëshe të energjisë elektrike në Vushtrri. Është e papranueshme që qytetarët e Vushtrrisë po përballen me një ndërprerje të energjisë elektrike që ka zgjatur tashmë për më shumë se 7 orë. Pothuajse gjysma e qytetit tonë, që nga mëngjesi, është lënë pa energji elektrike, duke krijuar një gjendje të rënduar për familjet dhe bizneset. Në këtë periudhë të dimrit, kur ka familje që varen nga energjia elektrike për ngrohje, përgatitjen e ushqimit dhe për nevojat bazike, kjo mungesë është një barrë e rëndë dhe e padrejtë për qytetarët”, ka shkruar Izmaku, teksa ka kërkuar reagim institucional për të siguruar energji për qytetarë.
“Situata të tilla janë të papranueshme në një vend që aspiron të ofrojë standarde më të larta jetese për qytetarët e vet. Ftoj institucionet përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë dhe të sigurojnë furnizimin me energji elektrike. Gjithashtu, kërkoj nga operatori energjetik që të shpjegojë arsyet e kësaj ndërprerjeje të gjatë dhe të prezantojë një plan konkret për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen”, ka shkruar tutje Izmaku.