Ambasadori britanik: Po dhe po, Kosova duhet t’iu besojë aleatëve dhe ta themelojë Asociacionin
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka ritheksuar edhe një herë përkushtimin e shtetit të tij për të ndihmuar gjatë vitit 2025 në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
Diplomati britanik thekson nevojën për veprime të guximshme nga liderët e të dyja shteteve për t’i dhënë epilog çështjeve të pazgjidhura. Hargreaves ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është qendror për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe se përbën çelësin për të zhbllokuar edhe detyrimet e vetë Serbisë.
Ai ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kosova duhet t’u besojë aleatëve të saj kur ata kërkojnë themelimin e Asociacionit dhe ka theksuar se për progresin e Kosovës drejt organizatave ndërkombëtare ku dëshiron të anëtarësohet, nuk ka zëvendësim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Lidhur me veprimet në veri të ndërmarra kohët e fundit nga Kosova, ambasadori britanik ka deklaruar se shteti i tij njeh të drejtën e Kosovës për t’u mbrojtur nga sulmet dhe për të pasur pritshmëri që të gjithë njerëzit që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës t’u përmbahen ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.
Megjithatë, Hargreaves ka rikujtuar gjithashtu se është thellësisht në interesin e Kosovës që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur. Ai ka potencuar se veprimet e befasishme të Kosovës në veri, si ai për përdorimin e dinarit, nuk kanë ndihmuar gjithmonë në sigurimin e serbëve se mirëqenia e tyre në do të jetë e mbrojtur në Kosovën e re moderne.
Çfarë roli pritet të luajë Mbretëria e Bashkuar në vitin 2025 sa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe dialogut Kosovë-Serbi?
Ambasadori Hargreaves: Gëzuar Vitin e Ri të gjithë lexuesve tuaj! Shpresoj që viti 2025 të sjellë hapa të vërtetë përpara drejt sigurimit dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Është shumë në interesin e Mbretërisë së Bashkuar të luajë një rol të madh në këto hapa: ajo që ndodh në Ballkanin Perëndimor ka pasoja për gjithë Evropën dhe shumë pjesë të botës. Ne kemi nevojë që Ballkani të jetë një rajon i qetë, i begatë dhe shpresëdhënës, ku qytetarët janë të sigurt se ata dhe fëmijët e tyre do të mund të jetojnë, punojnë dhe të bëjnë biznes me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Puna që kemi bërë me Qeverinë e Kosovës për të luftuar grupet kriminale të organizuara është thelbësore si për Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe për rajonin, për të parandaluar krimet si trafikimi i njerëzve dhe drogës, si dhe pastrimi i parave nga krimet e kryera në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ne kemi nevojë që rajoni të jetë një forcë për të mirën në mbrojtjen e institucioneve ndërkombëtare, rregullave dhe standardeve që po minohen vazhdimisht nga shtete si Rusia, që kanë treguar përbuzje për paqen dhe sigurinë evropiane. E nisim vitin 2025 me shumë pasiguri, si në Kosovë, ashtu edhe në vendet që kujdesen për të ardhmen e saj. Por Mbretëria e Bashkuar mbetet po aq e angazhuar sa më parë për të mbështetur të ardhmen e Kosovës si një shtet multietnik, demokratik dhe gjithëpërfshirës brenda institucioneve euro-atlantike. Prandaj, ne do të punojmë më shumë se kurrë me udhëheqësit politikë të Kosovës dhe me liderët e partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë për të mbështetur iniciativat që çojnë drejt një zgjidhjeje politike të qëndrueshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për të avancuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sigurisht, ne i kërkojmë udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të kenë guximin për të trajtuar njëherë e mirë çështjet që kanë bërë të vështirë arritjen e këtij qëllimi deri tani. Por ne do të jemi me ta në çdo hap të këtij procesi.
A besoni se ekziston rreziku që rajoni dhe çështja e Kosovës-Serbisë mund të anashkalohen në periudhën e ardhshme për shkak të krizave globale, si lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme?
Ambasadori Hargreaves: Është padyshim e vërtetë që ajo që ndodh në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe vende të tjera në krizë si Sudani, do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen e liderëve botërorë në vitin 2025. Udhëheqësit e Kosovës mund ta bëjnë më të lehtë për aleatët ndërkombëtarë që ta mbështesin atë duke ndërmarrë hapa pozitivë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë, si dhe duke luajtur një rol pozitiv në çështjet që prekin pjesën tjetër të botës. Ajo që ndodh në Ballkan nuk është e izoluar nga krizat globale të tjera. Na duhet që Kosova të jetë një shembull në mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të gjithë qytetarëve të saj. Duam të punojmë me forcat e sigurisë së Kosovës për të mbështetur luftën e Ukrainës për të mbrojtur të drejtën e saj kundër sulmit të papranueshëm nga Rusia dhe me politikanët e Kosovës për të gjetur zgjidhje për çështje ndërkombëtare përmes dialogut paqësor dhe konstruktiv. Prandaj, mesazhi im për liderët në Kosovë dhe rajon, në një vit që premton të jetë sfidues dhe i rrezikshëm në arenën ndërkombëtare, është: shikoni përpara dhe jo prapa, dhe bëhuni pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e një problemi tjetër për t’u shtuar në listën globale.
A duhet që zhvillimet e shpejta gjeopolitike të shërbejnë si thirrje zgjimi për rajonin, veçanërisht për Kosovën, për të zgjidhur çështjet me Serbinë dhe për të përshpejtuar rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s?
Ambasadori Hargreaves: Është bindja e thellë e Mbretërisë së Bashkuar, që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, se e vetmja rrugë e qëndrueshme për një vend të vogël dhe të ri evropian është integrimi në strukturat evropiane dhe atlantike. Prandaj, nuk është asgjë e re të thuhet se ne vazhdojmë të besojmë se kjo është një rrugë thelbësore që duhet ndjekur. Po ashtu, nuk është e re të thuhet se e vetmja mënyrë për të bërë përparim në këtë rrugë është përmes progresit të vërtetë dhe të qëndrueshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe në menaxhimin e drejtë dhe të qëndrueshëm të pakicave të ndryshme në mënyrën se si qeveriset Kosova. Kjo është përcaktuar qartë në planin e Ahtisaarit, i cili formon bazën themelore për njohjen e Kosovës si shtet. Prandaj, po, mendoj se tani është momenti që Kosova të bëjë përparim të vërtetë drejt BE-së dhe NATO-s, si dhe institucioneve të tjera si Këshilli i Evropës. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndihmojë dhe Kosova e di se çfarë duhet të bëjë.
Duke iu referuar posaçërisht veriut të Kosovës, si e vlerësoni veprimtarinë e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të territorit gjatë dy viteve të fundit? A është e mundur të arrihet një stabilitet i qëndrueshëm në veri me qasjen aktuale dhe pa një zgjidhje politike?
Ambasadori Hargreaves: Ngjarja më e rëndësishme në veri të Kosovës gjatë dy viteve të fundit ishte padyshim sulmi i tmerrshëm në Banjskë. Na tronditi të gjithëve duke nxjerrë në pah praninë e rrezikshme të grupeve të armatosura në veri të Kosovës. Është e papranueshme që, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit ende nuk janë mbajtur përgjegjës. Sulmi i fundit në kanal, megjithëse ende nuk e dimë se kush ishte përgjegjës, na kujton gjithashtu se sa e prekshme është infrastruktura kritike e Kosovës ndaj sulmeve në veri të vendit. Prandaj është e kuptueshme dhe e drejtë që Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, dëshiron të mbrohet nga të gjitha format e sulmeve, qoftë nga brenda apo jashtë Kosovës. Po ashtu është e drejtë që Kosova ka pritshmëri nga të gjithë ata që jetojnë brenda kufijve të saj që t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave të Kosovës.
Megjithatë, është në interesin e thellë të Kosovës që ata që jetojnë në Kosovë të ndihen të sigurt, të mbrojtur dhe të kenë besim për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Kosova duhet të jetë një shtet multietnik dhe ka mundësinë të jetë një shembull i shkëlqyer i integrimit të një pakice të rëndësishme dhe sensitive në mënyrë efektive. Jam i kënaqur që legjislacioni zgjedhor i Kosovës është zbatuar në mënyrë që serbët e Kosovës të përfaqësohen nga partia e zgjedhjes së tyre. Megjithatë, mënyra se si Kosova ka zgjedhur të sjellë ndryshime në veri të Kosovës – dhe në fakt në pjesën tjetër të Kosovës – në muajt e fundit nuk ka ndihmuar gjithmonë për të siguruar serbët e zakonshëm të Kosovës se mirëqenia e tyre do të mbrohet në Kosovën moderne. Ndryshimet e papritura në rregullat për përdorimin e valutës; mbyllja e institucioneve financiare dhe sociale nga të cilat varen familjet e zakonshme; shumë ankesa të pazgjidhura për ngacmime nga Policia e Kosovës: këto shembuj dhe të tjerë vetëm sa e shtojnë tensionin dhe dyshimet ndaj qëllimeve të shtetit të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse disa hapa të tjerë, si hapja e urës në Mitrovicë, mbeten të paarritshme për momentin. Ura duhet të hapet – por në një kohë kur besimi mes komuniteteve është mjaftueshëm i fortë për të minimizuar rreziqet që mund të lindin si për serbët, shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për ushtarët e kombeve kontribuuese të NATO-s.
A është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe zgjidhja e duhur për veriun? A duhet Kosova t’u besojë aleatëve të saj, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, që ndihmuan në çlirimin dhe krijimin e shtetit, kur ata i kërkojnë të ecë përpara me zbatimin e kësaj marrëveshjeje?
Ambasadori Hargreaves: Shkurt, po dhe po. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është qendror për marrëveshjen e Kosovës me Serbinë dhe çelësi për zhbllokimin edhe të detyrimeve të vetë Serbisë. Dhe është zgjidhja që plotëson më mirë kriterin për të siguruar që të drejtat dhe nevojat e pakicës serbe të Kosovës të mbrohen dhe të ruhen brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Sigurisht, çdo AKS do të duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të shmangë krijimin e një shtrese të re qeverisjeje ose pushteti ekzekutiv të ndarë. Por, për përparimin e Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare që dëshiron të anëtarësohet dhe për t’i dhënë komunitetit të saj jo-shumicë serb një zë të përshtatshëm në mënyrën se si drejtohen punët e tyre, nuk ka zëvendësim për AKS-në. Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht që Kosova ta testojë draftin aktual në Gjykatën e saj Kushtetuese.
Cila është gabimi kryesor që Kosova dhe udhëheqësit e saj – pavarësisht se kush vjen në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme – duhet ta shmangin gjatë vitit të ardhshëm?
Ambasadori Hargreaves: Dua të flas për mundësitë, jo për gabimet. Kosova ka një rezervuar të thellë vullneti të mirë nga partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë. Ajo ka mbrojtës të fuqishëm në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe SHBA. Nëse liderët e Kosovës zgjedhin, ata mund t’i bashkojnë këta mbrojtës pas tyre për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike të qëndrueshme që përmbush ëndrrën e Kosovës si një shtet evropian, multietnik, demokratik dhe gjithëpërfshirës. Sigurisht, nevojitet që edhe fqinjët e Kosovës të përmbushin detyrimet e tyre me vullnet të mirë dhe të lejojnë Kosovën të lulëzojë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të argumentojë për këtë, si gjithmonë. Por liderët e Kosovës mund ta bëjnë vitin 2025 vitin kur marrin nismën për të vendosur Kosovën në rrugën euro-atlantike njëherë e përgjithmonë, dhe shpresoj që ata do ta bëjnë këtë./Express