ShBA-ja dhe Britania, të kënaqura me certifikimin e Listës Serbe
Gjykata Supreme e Kosovës, të martën njoftoi se ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk vonoi dhe deklaroi se vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.
Për këto zhvillime kanë reaguar ambasadat e huaja të akredituara në vend.
ShBA-ja tha se është e kënaqur me vendimin e KQZ-së.
“Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush zgjidhet sipas sistemit demokratik të Kosovës dhe të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo tentim për të politizuar procesin zgjedhor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së.
Edhe ambasadori i Britanisë, Jonathan Hargreaves, e ka mirëpritur certifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka thënë se institucionet demokratike të Kosovës kanë dëshmuar se janë të gatshme ta sigurojnë zbatimin e sundimit të ligjit.
“E mirëpres certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Institucionet demokratike të Kosovës kanë treguar se janë në gjendje të sigurojnë se sundimi i ligjit zbatohet dhe nuk mund të minohet nga përshtatshmëritë politike”, ka thënë ai në një postim në platformën X.
Gjykata Supreme e Kosovës, të martën doli me aktvendim duke hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe.
Me vendimin e PZAP-së, me datë 25.12.2024 ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Listës Serbe dhe është anuluar njoftimi i KQZ-së së datës 23.12.2024. Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte urdhëruar për certifikim të Listës Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ankesa e LVV-së u trajtua dhe u mor vendim për të nga kolegji i përberë prej gjyqtarëve: Franciska Zhitija Ymeri kryetare e kolegjit, Delushe Halimi dhe Rrustem Thaqi, anëtarë.
Vetëvendosje apeloi vendimin e PZAP-së, i cili e hodhi poshtë atë të komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 23.12.2024, raporton Klankosova.tv.
LVV përmes Blerim Sallahut u ankua kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 25.12.2024.
Supremja ka vlerësuar se ankesa nuk i plotëson kriteret e përcaktuara me ligj, andaj ka ftuar KQZ-në që ta miratojë brenda afatit prej shtatë ditëve aplikimin për certifikim të Listës Serbe. /Klankosova.tv