Osmani: FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore

Osmani: FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore

Aktuale December 31, 2024 - 18:52

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të ndërrimit të viteve ka vizituar FSK-në.

Osmani tha se FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore.

“Në prag të ndërrimit të viteve, i vizitova dhe pashë nga afër përkushtimin, disiplinën dhe dashurinë për atdheun tonë. Uroj që viti 2025, të jetë vit i forcimit të mëtejshëm të Ushtrisë së Kosovës në misionin fisnik për të mbrojtur Republikën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar ajo.

 

Me 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Historik

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.

Andaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./Telegrafi/