Kurti për presidentin e ndjerë amerikan: Jimmy Carter vulosi majat e politikës amerikane dhe globale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Librin e Zisë dedikuar për Presidentin Jimmy Carter, në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku u prit nga Chargé d’affaires, Anu Prattipati.
Në shënimin e tij, ai në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës përcjelli ngushëllimet më të thella familjes së Presidentit Jimmy Carter, si dhe Qeverisë e popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjatë punës së tij të gjatë e të palodhshme për paqe në botë, njëherë si President e më pas si burrështetas i vjetër dhe eminent, Presidenti Carter vulosi majat e politikës amerikane dhe globale, pa humbur asnjëherë lidhjen me qytetarët”, shkroi kryeministri.
Ai shtoi se arritshmëria e madhështisë dhe dhembshurisë së tij ishin të pakufishme.
“Për këto e shumë të tjera, ai do të na mungojë shumë dhe kujtohet përjetësisht”, ka shkruar kryeministri Kurti. /Telegrafi/