Osmani flet pas vizitës në veri
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, në prag të ndërrimit të moteve, ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, si dhe ka ndarë momente gëzimi me fëmijët për festën e Vitit të Ri dhe së bashku me ta ka vizituar bizneset e hapura së voni në veri.
Në një shkrim Osmani thotë se i ka shprehur mirënjohje Policisë për punën dhe përkushtimin e palodhur.
“Gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Falë përkushtimit të tyre, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide”, ka shkruar Osmani.
Presidentja me këtë rast ka shpërndarë edhe dhurata për fëmijët në veri dhe ka vizituar disa biznese të sapohapura së fundmi atje.
“Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite, ndamë momente gëzimi me më të vegjlit tanë, për festën e Vitit të Ri dhe së bashku me ta vizituam bizneset e hapura së voni në veri, të cilat po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë e qytetit, por edhe në integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
“Të gjithë fëmijëve dhe familjeve të tyre, të të gjitha etnive, nga zemra ju uroj një Vit të Ri, plot shëndet, begati dhe suksese! Le të jetë viti 2025 një vit i paqes dhe i mbarësisë për të gjithë!”, është shprehur e para e vendit. /Zëri