Tërnava pret në takim Kurtin, Haxhiun dhe Çekun
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi Tërnava dhe Kurti biseduan për tema të ndryshme, duke përfshirë këtu rolin e komuniteteve fetare në forcimin e vlerave shoqërore dhe promovimin e tolerancës ndërfetare.
Myftiu Tërnava me këtë rast theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Kosovës, duke potencuar kështu rolin konstruktiv të Bashkësisë Islame të Kosovës në krijimin e një shoqërie edhe më tolerante. Ai në veçanti u ndal te ruajtja e trashëgimisë kulturore, historike dhe fetare në Kosovë, ku falënderoi Ministrinë e Kulturës për renovimin e disa xhamive, si dhe për gatishmërinë për renovimin e 15 xhamive të tjera të vjetra.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ruajtjen e harmonisë fetare dhe kombëtare. Ai ritheksoi angazhimin e Qeverisë për të mbështetur të gjitha komunitetet fetare në vend, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.