KEDS-i thotë se angazhoi 1000 punëtorë dhe makineri për furnizim gjatë Vitit të Ri

KEDS-i thotë se angazhoi 1000 punëtorë dhe makineri për furnizim gjatë Vitit të Ri

Aktuale December 31, 2024 - 11:27

KEDS-i ka thënë sot se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për festat e fundvitit.

“Përgjatë tërë verës janë kryer të gjitha mirëmbajtjet e parapara të rrjetit elektrik shpërndarës dhe janë implementuar afro 280 projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm”.

“Për festat e fundvitit, KEDS-i ka angazhuar rreth 1000 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që konsumatorët tanë të kremtojnë me drita. Përveç tyre, KEDS-i ka angazhuar edhe makineri të mjaftueshme si mbështetje logjistike e punëtorëve, në mënyrë që intervenimi, në rast nevoje, të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv. Po ashtu, do të jenë në dispozicion 135 makineri e automjete, prej tyre: 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Po ashtu, sipas KEDS-it, aktualisht sfida vazhdojnë të mbeten rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara.

“Në Malishevë, si rezultat i implementimit të superpërçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara”.

“U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur. Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë”, thotë KEDS-i. /Zëri