Kryetari i KPM-së: Nga 1 janari mund të shkëputet kontrata me operatorët kabllorë nëse shkelet marrëveshja
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, ka njoftuar se nga 1 janari 2025 qytetarët do të mundë të shkëpusin kontratën me operatorët kabllorë nëse shkelet marrëveshja.
Mehmeti tha në “Tempus” se kjo Rregullore e KPM-së erdhi si pasojë e zhvillimeve gjatë këtij viti, ku disa operatorë kabllorë u dënuan nga KPM-ja pasi disa kanale u larguan papritmas.
“Kur jemi ballafaquar me shumë ankesa të qytetarëve se disa emisione apo kanale janë larguar papritmas pasi ata kanë paguar, çfarë kemi bërë? Kemi angazhuar ekspert ligjor dhe tani kemi miratuar një Rregullore e cila në mënyrë të detajuar se çfarë duhet të përmbajë një kontratë e cila nënshkruhet mes një operatori të shpërndarjes dhe një klienti. Kjo rregullore hyn në fuqi nga 1 janari 2025 dhe tani e tutje qytetari do të ketë më shumë transparencë mbi shërbimet që do t’i marrë. Do ta ketë një kontratë paksa më volumionze, por falë asaj kontrate, qytetari, mund edhe të bëjë shkëputjen e kontratës kur ajo prishet njëanshëm nga operatori, apo edhe mund të marrë kompensim nëse këto nuk arrihen mes dy palëve, këtu është KPM-ja t’i detyrojë palët t’i respektojnë rregulloret dhe kontratat për të cilat ata marrin shërbimet”, tha Mehmeti.
Sipas kryetarit, KPM-ja sanksionon me qëllim vetëdijesues dhe jo si mekanizëm ndëshkues.
“Ka raste kur falë ankesave të qytetarëve kemi marrë vendime sanksionuese për një televizion të caktuar duke e kombinuar me kërkimfaljen ndaj një komuniteti të caktuar me qëllim që këto masa të jenë proporcionale, gjithmonë me qëllimin tonë të mirë që sanksionet tona të shërbejnë si një mekanizëm vetëdijësues dhe në asnjë formë si mekanizëm ndëshkues”, shtoi Mehmeti.
Ai përmendi se ka raste kur kanë sanksionuar deri në 100 mijë euro gjobë.