Kurti thotë se e ka menduar vizitën në Hagë, por ishte një arsye kryesore që e ndaloi të shkojë
Foto: Laura Hasani

Kurti thotë se e ka menduar vizitën në Hagë, por ishte një arsye kryesore që e ndaloi të shkojë

Aktuale December 30, 2024 - 22:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arsyet e mos-vizitës së tij në Hagë, në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale, ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Kurti ka thënë se e ka menduar vizitën në Hagë, por arsyeja që e ka ndalur janë formularët që duhet plotësuar.

“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në dokumente të Gjykatës Speciale, nuk kam dashur ta bëjë atë gjë”, ka deklaruar Kurti në RTK.

Kurti ka theksuar se dita kur është votuar Gjykata Speciale është ditë e zezë në historinë e Kosovës.

“Unë kam konsideruar dhe sot mendoj që është gabim ajo, 3 gushti i vitit 2015 është ditë e zezë në historinë e re të Kosovës, Dhomat e Specializuara nuk kam pa që kanë transparencë, një këmbë brenda Kosovës e një jashtë Kosovës, koka nuk e di tamam ku është”- është shprehur Kurti.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, Hashim Thaçi është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale bashkë me ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.