Ngritet aktakuzë kundër tre të pandehurve për krime lufte në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Ngritet aktakuzë kundër tre të pandehurve për krime lufte në Kosovë

Aktuale December 30, 2024 - 16:29

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve D.G, Zh.C dhe Z.Sh.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, për të pandehurin D.G. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e personit zyrtar- me gradë Kolonel – Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, në periudhën janar-korrik 1999 epror dhe mbikëqyrës ndaj të gjithë vartësve të tij dhe me kontroll efektiv ndaj tyre dhe territorit të Komunës së Gjilanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka qenë në dijeni ose është dashur të jetë në dijeni dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar apo për të raportuar në hierarki lidhur me vrasjet, plagosjet, djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltretimet, torturat fizike dhe psikike, plaçkitjet, dëbimin e popullatës civile shqiptare, në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj me këtë, ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së, transmeton Klankosova.tv.

“Për të pandehurin Zh.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit,  si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje me D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J., si edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civileve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunj, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj,  me këtë, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

“Ndërkaq për të pandehurin Zh.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, me datë 05/04/1999, nuk ofron ndihmën e duhur mjekësore viktimës N.R, i cili ishte plagosur nga grupi kriminal si më lartë, vetëm për faktin se i njëjti ishte i përkatësisë nacionale shqiptare, të njëjtin e urdhëron që të largohet sa më shpejt nga Spitali, e si pasojë e këtij veprimi viktima ndërron jetë në orët e vona të së njëjtës ditë, – më këtë, ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së”.