Prokuroria ngre aktakuzën e dytë ndaj Nagip Krasniqit për dallaveret në KEK: Dëmi, rreth 37 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Prokuroria ngre aktakuzën e dytë ndaj Nagip Krasniqit për dallaveret në KEK: Dëmi, rreth 37 milionë euro

Aktuale December 30, 2024 - 14:47

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për dallaveret në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Aktakuza është dorëzuar ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë për media.

“Prishtinë, 30 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, në rastin e njohur “KEK” kundër të pandehurve N.K.,Y.D., I.Z.”, thuhet në njoftim.

Dëmi i buxhetit të Kosovës, sipas Prokurorisë, është rreth 37 milionë euro.

“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’, ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’ dhe ‘Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’. Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

Kjo është aktakuza e dytë ndaj Nagip Krasniqit, ish-kryeshef në KEK dhe anëtar i Vetëvendosjes.

Për këtë rast ishte intervistuar edhe Dejona Mihali e Artane Rizvanolli.

Krasniqi po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporto “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së parë, e të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator, derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.

Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.

Nga provat e Prokurorisë tregohet se ZRRE-ja KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Rregullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRRE-ja, e që janë të regjistruara në Kosovë.

Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas Rregullores për licencimin e aktiviteteve të energjisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ZRRE-ja kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe e-mailit zyrtar që KEK-u të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.

Tutje, thuhet se ZRRE-ja më 19.08.2022 kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave, KEK-u kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.

Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin gjetjet e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektojë përfundimisht qëndrimet e ZRRE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRRE-ja që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRRE-në”, thuhet në aktakuzë.