“Lepuj” dhe “kërmij”, Isufaj e quan fyerje deklaratën e Kurtit: Kemi pesë aktakuza ndaj ish-ministrave, asnjë ndaj këtyre aktualë
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se prokurorët shndërrohen nga “kërmij” në “lepuj të shpejtë” kur bëhet fjalë për ndjekjen ndaj njerëzve të pushtetit aktual.
Isufaj tha në një konferencë për media se deklaratat “denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve” minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë dhe “e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”.
“Deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, tha ai.
Isufaj tregoi se aktualisht Prokuroria Speciale ka të ngritura aktakuza për pesë ministra të qeverive të kaluara, ndërsa ende asnjë për ministrat e Qeverisë aktuale. Kjo, tha ai, është “argumenti më i madh”, që tregon se si punon kjo prokurori.
“Më lejoni t’ju jap vetëm një fakt: aktualisht kemi të ngritura aktakuza për pesë ish-ministra, të kabineteve tjera qeveritare e kam fjalën; nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. Kemi të hedhura 17 kallëzime penale për ministrat aktualë në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që tregon se ne nuk punojmë në mënyrë selektive, se fare s’na intereson ajo punë. Ne punojmë vetëm në bazë të provave, në bazë të ligjit dhe në bazë të Kushtetutës. Kjo nuk do të thotë fare se në të ardhmen nuk do të ketë aktakuza edhe për ministrat aktualë, por po them,derisa po flasim, nuk e kemi asnjë aktakuzë për ministrat në detyrë, i kemi të gjitha për ish ministrat e kabineteve të tjera”, tha Isufaj.